Kadrijaj: Karantina nuk duhet të aplikohet, të ndihmohen bizneset

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të marrë masa për mbylljen totale për shkak të virusi Covid-19.

Ajo është shprehur se Qeveria duhet të ndihmojë bizneset, për shkak se ato mund të mbyllen si pasojë e humbjeve.

“Karantimi i tërësishëm nuk do të duhej të aplikohej më sepse e kemi parë që nuk ka rezultuar pozitive. Ne e kemi kundërshtuar atë. Në rastet kur mbyllja mund të jetë e pashmangshme, Qeveria duhet t’i paguaj bizneset të cilat nuk operojnë për shkak të një mbyllje të mundshme, sepse është rrezik që këto biznese të bankrotojnë”, është shprehur ajo.

Kadrijaj theksoi se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë me prioritet rritjen e  buxhetit për shëndetësi për vitin e ardhshëm, si dhe të investoj në pajisje testimi për Covid-19.

“Qeveria duhet t’i kushtoj rëndësi sistemit shëndetësorë , të investoj në pajisje për testim për Covid-19, kur dihet se shumë komuna testet i dorëzojnë në Prishtinë , e kjo merr kohë disa ditë”, tha ajo.

Kadrijaj kërkoi po ashtu që sa më shpejtë të miratohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Në këtë situatë, si Kuvend duhet të jemi shembull për qytetarët e Kosovës. Duhet ta miratojmë pa humbur kohë Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike. Ne duhet t’i dalim në krahë njëri tjetrit”, shtoi ajo.