Time Kadrijaj

Kadrijaj: Haradinaj ka punuar gjatë që Kosova ta ketë Ushtrinë, pres unitet të plotë gjatë votimit

Më 14 dhjetor pritet të mbahet seanca e radhës për votimin e transformimit të FSK-së në Ushtri. Seanca është paralajmëruar edhe nga kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Deklaratat e Veselit u komentuan nëpër mediat serbe edhe nga zyrtarë të lartë të shtetit serb, të cilët kishin thënë se kjo po cënon sigurinë e shteteve në Ballkan, shkruan Ballkani.info.

Por në anën tjetër, çështja e Ushtrisë mori përkrahje gjysmake ndërkombëtare.

Ditën e djeshme, kryeparlamentari Veseli, ishte në vizitë zyrtare në Amerikë ku edhe vizitoi Iowan, për të parë nga afër mjetet e rënda ushtarake, të cilat besohet se janë të dedikuara për Ushtrinë e Kosovës.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj njëherësh edhe veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një prononcim për Ballkani.info ka thënë se pret unitet të deputetëve në votimin e Ushtrisë.

“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë subjekt politik që nuk do të jetë në sallën e Kuvendit me datën 14 dhjetor për të votuar transformimin e FSK-së në Ushtri”, ka thënë Kadrijaj.

Tutje ajo ka theksuar se reagimet ndaj këtij procesi nuk janë të drejta pasi sipas saj, formimi i Ushtrisë është e drejtë legjitime e shtetit të Kosovës.

Kadrijaj ka thënë se është punuar shumë në këtë drejtim edhe nga Kryeministri aktual, Ramush Haradinaj andaj nuk pret ndonjë mospajtim të ndërkombëtarëve në këtë çështje.

“Kryeministri i Kosovës ka punuar gjatë në këtë drejtim, së fundmi ka qenë edhe në Amerikë ku është pritur nga zyrtarë shtetëror atje. Kryeministri ka sqaruar edhe njëherë se transformimi i FSK-së në Ushtri nënkupton gjithëpërfshirje të të gjitha komuniteteve pasi kjo është Ushtri e popullit të Kosovës”, ka shtuar deputetja.

Ajo ka komentuar edhe reagimet e mundshme nga shteti serb, pas formimit të Ushtrisë ku ka shprehur keqardhje për gjithë këto kundërshtime në drejtim të shtetit të Kosovës.

“Më vjen keq për disa deklarata në drejtim të shtetit tonë. Kosova është shtet i pavarur ndërsa sovranitetin dhe integritetin e ka të mbrojtur me çdo konventë ndërkombëtare. Ne nuk presim që Serbia të përkrahë formimin e Ushtrisë të Kosovës, por më vjen mirë për reagimin e Ambasadës Amerikane ditën e djeshme ku tha se formimi i Ushtrisë është e drejtë legjitime e popullit të Kosovës” ka përfunduar Kadrijaj.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka filluar përgatitjet e ceremonisë shtetërore në ditën e mandatimit të Ushtrisë. /Ballkani.info/