Kadri Veseli sot po feston 56 vjetorin e lindjes

Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot feston ditëlindjen. Ai mbush 56 vjet.

Kadri Veseli u lind më 31 maj të vitit 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në Mitrovicë. Në vitin 1990 filloi studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Aktivitetin politik ai e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-më vonë LPK).

Në vitin 1990, në kohën kur sapo kishte nisur studimet në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, bien në kontakt me udhëheqësin e atëhershëm të Ilegales (LPRK-së), Afrim Zhitia, prej të cilit marrin ide dhe premisa rreth organizimit politik për jetësimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Më 1991 ai shkon në Shqipëri. Në Tiranë takohet me Grupin e Prekazit me në krye komandantin Adem Jashari dhe bashkë me të realizojnë aksionet e para të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë. Ndërsa në vitin 1993 mori pjesë në një mbledhje të thirrur nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, dhe ky takim mund të konsiderohet si dita e themelimit zyrtar të UÇK-së.

Në këtë kohë ai emërohet komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, përgjegjësi të cilën do ta ushtrojë me shumë sukses deri në përfundim të luftës. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake të Serbisë (24 mars 1999), ai me njësitet e tij të ZKZ-së do të jetë burimi i vetëm i informacionit për lëvizjen dhe ndodhjen e forcave ushtarake serbe në territorin e Kosovës.

Pas çlirimit të Kosovës (12 qershor 1999), krahas njësiteve të tjera të UÇK-së edhe shërbimi i Zbulim Kundërzbulimit (G-2), vendoset në Prishtinë për ta vazhduar misionin në rrethana të reja. Në kushtet e paqes shërbimi ushtarak i Zbulim Kundërzbulimit doemos duhej të transformohej në shërbim të inteligjencës. Mund të thuhet se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është formacioni i fundit i UÇK-së, (pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës), i cili u shua vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

Në fund të viti 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu nënshtruar procedurave demokratike të zgjedhjeve dhe në Konventën VI të PDK-së që u mbajt më 27 janar të vitit 2013 ai mori votat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u bërë zëvendëskryetar i kësaj partie.

Veseli u votua Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës më 8 dhjetor 2014. Ai është paraparë të bëhet kreu i partisë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili e liroi postin për shkak të detyrimeve kushtetuese, për të marrë postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, Veseli u rizgjodh si Kryetar i Kuvendit më 7 shtator 2017.