Kadri Veseli po konsiderohet i pafuqishëm për reforma brenda PDK-së

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli po cilësohet i pafuqishëm për të ndërmarrë reformat në partinë e tij, përkundër se qysh para një muaji ishte shumë i zëshëm për t’i larguar nga strukturat e partisë dhe pozitat publike të gjithë personat me aktakuza.

Mosguximi që të ndërmarrë një hap të tillë ndaj njerëzve të fuqishëm në parti, rrethanat e reja politike dhe mundësia e shfrytëzimit të këtyre figurave të rëndësishme në lista zgjedhore, po konsiderohet nga njohësit politik se e ka detyruar Veselin të bëjë një hap prapa në këtë tentativë.

Ndërkohë, zyrtarë të PDK-së i mohojnë gjitha këto pretendime për probleme brenda partisë. Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë për KosovaPress se gjitha vendimet e kryetarit Veseli për reforma brenda partisë e kanë përkrahjen e tyre, derisa i mohon zërat për probleme të brendshme duke i cilësuar si tendenca të qëllimshme për t’i dëmtuar.

Për dallim nga shefi i tij partiak, që ka kërkuar nga ata që kanë aktakuza të lirohen nga strukturat e partisë, Krasniqi thotë se gjithë njerëzit që kanë dhënë kontribut brenda PDK-së janë vlera dhe si të tillë e kanë edhe meritën, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e PDK-së.

Këtë veprim të kryetarit të PDK-së e sheh të vështirë, drejtori i Institutin të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, i cili thotë se ky hap i Veselit ka hasur qysh në fillim në rezistencë të madhe nga ata që konsiderohen të fuqishmit e partisë.

Ndërkaq, analisti politik Imer Mushkolaj thotë se fuqia e Kadri Veselit në PDK është vetëm tek ata njerëzit që s’kanë ndikim, pasi sipas tij, kur flitet për figura të rëndësishme i ka hasur sharra në gozhdë, pasi siç shprehet ai, ata njerëz nuk ia varin fort.

Mushkolaj për Veselin thotë se ka qenë njeri mistik që kishte fuqi nëntokë, duke aluduar se ishte shef i SHIK-ut, por siç konsideron analisti politik, i njëjti si kryetar i PDK-së nuk po e ka fuqinë e duhur.Ndryshe, këtë kërkesë të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, e kanë kundërshtuar disa prej themeluesve të partisë, të cilët kanë kërkuar që veprime të tilla të merren vetëm në organet që i kanë zgjedhur brenda strukturës së PDK-së.

Ndërsa, kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku pati deklaruar se mandatin ia kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të ta ndëshkojnë me votën e tyre për mos punë.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Lushtaku.

loading…