Kadri Veseli nis promovimin e Uran Ismailit si kandidat për Prishtinën

Ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, si duket ka filluar fushatën e tij për të shpallur kandidaturën për kryetar të ardhshëm të Prishtinës.

Dje, Ismaili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se zyrtarisht ka dorëzuar kandidaturën e tij për Kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë.

Ai ka thënë se ka vendosur që angazhimin e tij politik e partiak ta përqendroj në qytetin e tij dhe enërgjinë e tij ta shndërrojë në forcë që e transformon marrëdhënien mes PDK-së dhe Prishtinës.

Në këtë mënyrë, Ismaili ka paralajmëruar edhe kandidaturën e tij për zgjedhjet e radhës në kryeqytet, shkruan Ballkani.info.

Në anën tjetër, sot ministri së bashku me kryeparlamentarin Veseli, kanë përuruar objektin e ri të ambulancave specialistike në QKUK, duke thënë se po lënë mbrapa të kaluarën e hidhur të shërbimeve mjekësore nëpër bodrume.

Komentues të shumtë në rrjetet sociale e kanë parë këtë përurim si fushatë të radhës, duke thënë se punimet për këtë objekt kanë filluar muaj më parë, por qëllimisht përurimi është bërë tani. /Ballkani.info