Kadri Veseli jep indikacione që mund të futet në qeverinë Hoti

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, edhe pse disa herë ka thënë se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e qeverisë Hoti, ai së fundmi ka dhënë indikacione se mund të ndodhë e kundërta.

Gjatë takimit me strukturat e partisë në Dragash, Veseli ka bërë një deklaratë që mes rreshtash mund të kuptohet si një paralajmërim se partia e tij do të bëhet pjesë e qeverisë aktuale.

“Do t’i përgjigjemi me dinjitet dhe integritet të gjitha zhvillimeve që lidhen me interesin nacional të vendit. PDK-ja është opozitë e pushtetit por jo e shtetit”, ka thënë Veseli.

Njoftimi i plotë i PDK-së pas takimit me strukturat e partisë në Dragash:

Kryetari Veseli takon strukturat partiake në Dragash

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar strukturat e partisë në Dragash. I shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Uran Ismaili; anëtari i kryesisë, Enver Hoxhaj, Sekretari Elektoral, Betim Gjoshi, ai ka përgëzuar lidershipin dhe anëtarët e kësaj partie për punën e mirë që po e bëjnë. Njherësh, ka kërkuar edhe më shumë mobilizim e angazhim në shërbim të qytetarëve.

PDK është e konsoliduar dhe strukturuar fuqishëm në Dragash dhe gjithandej Kosovës.
“Do t’i përgjigjemi me dinjitet dhe integritet të gjitha zhvillimeve që lidhen me interesin nacional të vendit. PDK-ja është opozitë e pushtetit por jo e shtetit ” ka thënë Veseli.

Edhe kryetari i Komunës, Shaban Shabani dhe kryetari i degës së PDK-së, Vehbi Nazifi kanë falendëruar kryetarin Veseli dhe anëtarët e kryesisë duke premtuar angazhim në shërbim të qytetarëve, si dhe për të forcuar më shumë PDK-në.