Kryetari i Kuvendit

Kadri Veseli i quan frikacake dhe qyqare LDK-në e Vetëvendosjen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur për proceset e rëndësishme në të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova.
Veseli ka folur edhe për fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, ku ka kritikuar partitë opozitare për mosbashkëpunim.

Ai ka thënë se qëllimi është i qartë në këtë proces e ai është shteti i Kosovës, dhe se finalja e dialogut do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Qëllimi është fare i qartë, është shteti i Kosovës, partneriteti me SHBA-të. Finalja e dialogut ka vetëm një kuptim njohja e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës nga Serbia. Kemi një fillim shumë të mirë, kemi nxjerr një rezolutë dhe kemi delegacionin shtetëror për dialogun me Serbinë. Me një fjalë kemi ndalur agresionin e Serbisë që të paraqitet e moderuar, Kosova është e gatshme që të merr përgjegjësit e veta për dialogun”, ka thënë Veseli në një intervistë për Telegrafin.

Veseli ka thënë se grupi negociator së bashku me bartësit e institucioneve është duke punuar shumë mirë, dhe e ka të qartë vizionin se përse shkojnë në dialog.

Ai ka folur edhe për takimet e dy ditëve të fundit që ka zhvilluar me delegacionin shtetëror për dialog.

“Sot kemi pasur po ashtu një takim të shkëlqyeshëm me vendet e QUINT-it ku na është dhënë një mbështetje e madhe për procesin e dialogut. Është për dhembshuri sjellja e opozitës. Po flas për LDK-në dhe VV-në, një mëri dhe një inat e cila është e paarsyeshme. Si mendoni të ecë Kosova me mentalitet bllokues, me mentalitet inatçor, frikacakut me mentalitet qyqar? kjo sjellje është e papërgjegjshme, nuk ka të drejtë as pozita e as opozita me u thirr në emër të qytetarëve dhe të bllokojë proceset… ne nuk duhet t’i zamë vetit rrugën”, u shpreh Veseli.

Duke folur rreth bashkimit të PSD-së në këtë proces, Veseli ka thënë se PSD-ja është e vetmja parti opozitare e cila ka reflektuar në këtë drejtim, duke thënë se ju ka përgjigjur thirrjeve të SHBA-ve për procesin e dialogut.

” Ka tetë muaj që jemi duke u munduar të arrijmë konsensus me PSD-në, ka tetë muaj që SHBA-të, BE-ja kërkon me insistim që Kosova të bëhet gati si shtet i pavarur e sovran në procesin e dialogut. Ne do të futemi në dialog, vizionin e kemi shumë të qartë dhe nuk besoj se ne jemi më patriot por asnjëherë nuk e besoj se ata janë më patriotë si na. Është e vetmja PSD-ja e cila ka reflektuar karshi thirrjeve nga SHBA-ja për dialog”, tha Veseli.