“Kadri Veseli e shfrytëzoi seancën solemne për fushatë politike”

Kryeparlamentari Kadri Veseli, në deklaratat e tij të fundit është shprehur se Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Europian, dhe jo për shkak të taksës.

Këto deklarata nuk kanë kaluar në heshtje, përkundrazi ka pasur komente nga më të ndryshme.

Madje, analistët kanë cilësuar se Kadri Veseli, ka keqpërdorur foltoren e Kuvendit të Kosovës, duke dërguar mesazhe politike e partiake në seancën solemne që po mbahej për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në një prononcim për Ballkani.info analisti Astrit Gashi, deklaratat e Kadri Veselit i ka cilësuar fushatë elektorale dhe se gjatë seancës solme është dashur të përçohej mesazhi i bashkimit të kombit pa dallim qëndrimesh partiake si dhe fryma e optimizmit për të ardhmen e vendit.

“Dje ka qenë një seancë solemne e 11 vjetorit të Pavarësisë si e tillë mendoj se aty nuk ka qenë vendi që të dërgohen mesazhe politike e partiake aktuale. Pra, mendoj që as Veseli dhe as kushdo tjetër që seancën solemne e ka përdorur për fushatë politike, ka gabuar. Sepse dje nga Kuvendi është dashur të përçohet mesazhi i bashkimit të kombit pa dallim qëndrimesh partiake si dhe fryma e optimizmit për të ardhmen e vendit e jo të flitet për ndarje mes nesh e izolime. Fjalimi i Veselit ka qenë ajo që ju ngjanë shpesh liderëve të vendit, nuk shohin përtej problemeve të tyre asnjë moment dhe asnjë ditë – as atëherë kur duhet të flasin e mendojnë për të gjithë qytetarët”, ka thënë Gashi.

E në anën tjetër, për për Ballkani.info analisti Imer Mushkolaj, ka thënë që përderisa kryeministri Haradinaj nuk lëshon pe, atëherë vendi ynë do të shkojë në zgjedhje.

“Një zgjidhje duhet të gjendet shpejt. Po duket se Haradinaj nuk do të lëshojë pe. Nëse ndodh kështu, atëherë mund të priten zgjedhje të reja. Por, zgjedhjeve të reja iu druan vetë PDK, ngase mund të humbasë politikisht, pasi që arsyeja e shkuarjes në zgjedhje është mos-heqja e taksës ndaj Serbisë. Edhe në atë variant, heqja e taksës do të zvarritej”, ka thënë Mushkolaj.

Tutje Mushkolaj, ka potencuar që taksa po përdoret nga të gjitha partitë në Kosovë, për patriotizëm.

“Haradinaj nuk jep dorëheqje dhe kjo e komplikon edhe më shumë situatën. Përndryshe, taksa po përdoret nga të gjitha partitë në Kosovë, për të shitur patriotizëm”, ka përfunduar Mushkolaj./Ballkani.info/