Kadri Veseli e mohon, por Rrahim Hashimi shihet me të gjithë njerëzit e afërt të tij

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, po thotë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse vërtetohet se ka qenë i përfshirë në aferën e fajdeve të udhëhequr nga krye mafiozi nga Mitrovica, Ismet Osmani.

Pa sqaruar se a është njohur me këta persona, ai zgjodhi që ta kritikojë edhe sistemin e drejtësisë.

Veseli ka lënë pa sqaruar pse një nga pjesëtarët e partisë së tij është i përfshirë në rast, e as pse fytyra të njohura të partisë janë parë tërë kohën në shoqërim të tij, raporton Gazeta Express

Në shtator të vitit 2017-të, një nga personat e dyshuar për përfshirje në fajde, mashtrim e detyrim, Rrahim Hashimi, që njëherësh është edhe anëtar i Partisë Demokratike të Kadri Veselit, pati publikuar një fotografi me mbishkrimin “Fuqia e një ekipi nuk matet sa herë rrëzohet, por se sa herë ngritet”.

Ata që Hashimi, i njohur mirë nga organet e drejtësisë, i konsideronte ekip, janë persona të afërt me krye parlamentarin Kadri Veseli, edhe ky i përmendur si përfitues në aferën e fajdeve.

Zëvendësministri Bujar Cakolli, deputeti Hajdar Beqa dhe anëtari i PDK-së, Artan Nimani shihen në krah të tij.

Fotografi si ajo e vitit 2017-të ka edhe disa të tjera, e Hashimi gjatë tërë kohës shihet me fytyra të njohur të Partisë Demokratike.

Rrahim Hashimi që është i vetmi person që u lirua nga paraburgimi nga grupi i fajdeve, dikur madje kishte apsiruar kandidaturën për të parin e PDK-së. Ky ishte tërhequr duke thënë se i besonte udhëheqjen Kadri Veselit.

Sot, në anën tjetër, kryeparlamentari e kreu i PDK-së, Kadri Veseli tha se nuk ka asgjë lidhje me personat që kanë të bëjnë me këtë rast, derisa, paralajmëroi padi edhe për ata që ja kanë përmendur emrin.