KADC

KADC e vlerëson kërcënim importimin e veturave më të vjetra se 15 vjet

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) shpreh shqetësimin dhe mospajtimin e thellë me vendimin e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik me të cilin synohet ndryshimi i Ligjit për Automjete për të rritur kufirin e vjetërsisë së automjeteve që importohen nga 10 vjet në 15 vjet.

“Është zhgënjyes dhe dëshpërues fakti se komisioni  parlamentar për zhvillim ekonomik, përkundër dëshmive shkencore të shumta mbi rreziqet që shkaktojnë shkarkimet nga automjetet e vjetruara, përkundër përpjekjeve dhe politikave në Evropë dhe në Botë, dhe në kundërshtim me rezolutat dhe strategjitë mjedisore të miratuara nga vetë Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, merr vendim për të bërë pikërisht të kundërtën – rritjen e ndotjes së ajrit.

Nëse miratohet, një politikë e tillë do të rezultojë me kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe ndotje të rëndë të ajrit, sidomos në mjediset urbane. Kjo do të mundësoj importimin e veturave me standardin evropian Euro 3 të shkarkimit që në vendet e BE-së është tejkaluar qysh para 13 viteve, që nga viti 2005.

Veturat me standard Euro 3, emetojnë tre-fish me shumë okside të azotit (NOx), dhjetë fish më shumë grimca të pluhurit (PM) dhe 30 % më shumë monoksid të karbonit (CO) se sa një veturë dhjetë vjet e vjetër”, thuhet në kumtesën për media.

Tutje kjo qendër pohon se ndotësit në fjalë paraqesin rrezik serioz për fëmijët pasi që pengojnë zhvillimin normal të mushkërive të tyre dhe duke kontribuar drejtpërdrejtë në krijimin e problemeve afatgjate shëndetësore dhe uljen e jetëgjatësisë së tyre.