Kadaj: Thaçi po bën lojë politike, PDK-ja është katastrofë elektorale

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj ka komentuar propozimin e presidentit Thaçi drejtuar koalicionit PAN.

Kadaj për Insajderin ka thënë se zgjedhjet e reja janë alternativa e vetme, çdo veprim tjetër është një lojë politike e Thaçit.

“Zgjedhjet e reja janë e vetmja alternativë për të rilegjitimuar institucionet reja të Republikës së Kosovës, pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj. Çdo përpjekje tjetër, si kjo e Thaçit për të ftuar PAN-in që të propozoj një kandidat të ri për kryeministër, duhet të shihet më shumë si lojë politike e tij”, ka thënë Kadaj.

Ajo ka shtuar se qëllimi i presidentit Thaçi është që të humbet sa më shumë kohë dhe të shtyhen zgjedhjet, pasi PDK-ja në opinionin publik është “katastrofë elektorale”.

“Qëllimi i presidentit është humbja e kohës dhe shtyrja e zgjedhjeve, sepse dihet tashmë që për PDK-në të gjitha matjet e opinionin publik, parashohin “katastrofë elektorale”, ka shtuar Kadaj.

Sipas Kadaj, Haradinaj është dorëhequr për ta mbrojtur Kosovën nga copëtimi territorial, gjë që sipas saj po sponsorizohej nga vetë Thaçi.

“Në fund duhet thënë që Haradinaj u dorëhoq për arsye të forta, e mbronte Kosovën nga copëtimi territorial, gjendje që e përforcon arsyen e zgjedhjeve dhe rilegjitimin e institucioneve për t’i dhënë goditjen e fundit këtij rreziku. Ai e kundërshtoi deri në fund idenë destruktive për ndarjen e shtetit tonë, e cila në Kosovë shtyhej e sponsorizohej nga vetë Thaçi”, ka thënë Kadaj.

loading…