Kadaj-Bujupi: Vendimet e guximshme e identifikojnë Qeverinë dhe Ramush Haradinajn

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se LDK-ja nuk mund sot të kritikojë partitë në pushtet sepse vetë ka qenë në pushtet një kohë të gjatë.

“Rrënimi në shumë sektore ka ndodhur në kohën kur ju [LDK] keni bashkqeverisur me PDK-në”.

“Në dy ose tri mandate që keni bashkëqeverisur keni përgjegjësi pë rrënimin e sektorëve të caktuar sepse rrënimi nuk ka ndodhur gjashtë muajve të fundit – nuk ka qenë më mirë, ka qenë veç më keq në të kaluarën”.

“Ka filluar një dinamikë e re sektor për sektor dhe përmirësim sektor për sektor”.

“Edhe politizimi i Ndërmarrjeve Publike nuk ka filluar me këtë Qeveri, është temë që është raportuar edhe në Raportin e Progresit që ekziston një mendësi për kapjen dhe politizimin e Ndërmarrjeve Publike”.

“Nuk është mirë të flitet sikur ju [LDK] nuk keni pas kurrë përgjegjësi ose që keni qenë në opozitë që 10 vjet sepse është e pasinqertë. Keni udhëhequr sektorë si Ministria e Brendshme dhe jeni përgjegjës për dështimet dhe temat që i trajtoni vazhdimisht”.

“Nuk mund të akuzoni pse nuk ka përmirësim në fusha të caktuara kur ju keni udhëhequr për vite të tëra dhe keni bashkëqeverisur me PDK-në”.

Kadaj-Bujupi në Klan Kosovë ka thënë se nuk e sheh Lidhjen Demokratike të Kosovës si alternativë politike.

“Mendoj që nuk paraqitni ndonjë alternativë politike sepse keni qenë shumë gjatë në politikë dhe jeni në opozitë që një vit e gjysmë”.

Ajo ka thënë po ashtu se të krahasohet qeverisja e kryeministrit aktual Ramush Haradinaj me qeverisjen e ish-kryeministrit Isa Mustafa është sikur të krahasohet nata me ditën.

“Për aq sa ka pasë popullaritet ish-kryeministri [Isa Mustafa] dhe sa është i besueshëm dhe i popullarizuar kryeministri tani [Ramush Haradinaj] ekzistojnë matjet e opinionit dhe dihet edhe i pari edhe i dyti në çfarë pozite është dhe çfarë vendimesh kanë ndërmarrë”.

“Ramush Haradinaj mund të ketë dhe sigurisht që ka plot të meta sikurse nuk mund të rregullohet gjithçka me shkop magjik brenda një viti por vendimet e mëdha, duhet të pajtohemi të gjithë, se janë vendime që kanë qenë peng dhe të stërzgjatura”.

“Nuk janë ndërmarrë asnjëherë në Qeveritë e kaluara. Hera e parë që kemi marrë vendime të mëdha dhe të guximshme ka qenë në këta pesë-gjashtë muajt e fundit, prandaj të bëhet një krahasim i tillë është si nata me ditë”.

“Ne e dimë që në dy vite e gjashtë muajt e kaluar vendi ka qenë në bllokadë dhe rrjedhimisht kemi shkuar edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

“Sot, përtej problemeve dhe mospajtimeve, proceset po ecin përpara dhe kjo është e rëndësishme që proceset të ecin përpara”.

Kadaj-Bujupi ka deklaruar se qeverisja e Ramush Haradinajt dhe vet ai karakterizohen me vendime të guximshme.

“Veprimet dhe vendimet e guximshme e identifikojnë këtë qeveri dhe këtë kryeministër [Ramush Haradinaj]”.

“Kjo është diçka që ka ndodhur për herë të parë në Kosovë që ne nuk jemi nënshtruar as përballë Serbisë, Bashkësisë Ndërkombëtare e qe besa as përballë presioneve të brendshme dhe përpjekjeve që për interesa të ngushte meskine t’i rrezikojmë edhe interesat e mëdha deri tek integriteti dhe sovraniteti i Republikës sonë”.