Kadaj-Bujupi: Pse e përkrah Amerika Ballkanin e Hapur, nëse po i konvenuaka Rusisë e Kinës?

Sonte në emisionin Pressing po diskutohet për zhvillimet e fundit që lidhen me samitin e Ballkanit të Hapur që po mbahet në Ohër si dhe refuzimin e Kosovës, si e vetmja nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që t’i bashkohet kësaj nisme.

Ish-deputetja, Donika Kadaj-Bujupi thotë se zyrtarët amerikanë po përkrahin Ballkanin e Hapur. Ajo thotë se, nuk e kupton hezitimin e Kosovës, për t’iu bashkuar kësaj nisem rajonale.

“Ka munguar vetëm Kosova e cila s’ka qenë e gatshme as të diskutojë ose të jetë aty e të paktën të informohet se për çka po bëhet fjalë”, tha Kadaj-Bujupi në emisionin Pressing në T7.

“Kjo fobia se Serbia na dominon sepse është më e fuqishme s’duhet me qenë argument për me na lënë të izoluar”, shtoi ajo.

“Pse është kjo ndjenjë e frikës dhe ideja me ndejt të izoluar. Unë më shumë e shoh si një far teme sa me mbajt vëmendjen te një diçka që mundet me kanë kërcënim te Rusia e te Kina e që është krejt abstrakte. A po mendoni që zyrtarë të lartë amerikanë dalin në një konferencë edhe i japin përkrahje zyrtarisht, aty ku përfiton Rusia dhe Kina. Pse kish me ndodh kjo?”, tha Kadaj-Bujupi.