“Ka shumë mbeturina në rrugë”, gazetarja ukrainase Daria Meshcheriakova tregon se çfarë nuk pëlqen në Kosovë

Daria Meshcheriakova është në mesin e disa prej gazetarëve ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë prej afro një muaji.

Ajo së fundmi ka dhënë një intervistë për Telegrafin, ndërsa ka folur më shumë për jetesën në Kosovë, artin e kulturën si dhe për atë se çfarë nuk pëlqen këtu.

E njëjta thotë se kjo nuk është hera e parë që vjen në Kosovë, por që nuk pëlqen situatën me mbeturinat në Kosovë.

Foto: Screenshot/Facebook

“Shiko, kjo është hera e shtatë apo e tetë që jam në Kosovë. Asgjë këtu nuk më duket befasuese. Thjesht nuk më pëlqen situata me mbeturinat në Kosovë. Ndjej dhimbje fizike kur më duhet të hedh të gjitha mbeturinat në të njëjtën shportë. Dhe gjithashtu ka shumë mbeturina në rrugë”.

Daria nga ana tjetër thotë se i pëlqen mjaft shumë muzika kosovare, e në veçanti artistja Era Istrefi.

Foto: Screenshot/Facebook

“Kam dëgjuar muzikë kosovare që nga vitit 2011. Njoh shumë artistë nga Kosova dhe këngët e tyre i kam në ‘playlist’-ën time. Këngëtarja ime e preferuar është Era Istrefi. Më pëlqen më së shumti kur ajo këndon shqip. Mund ta mësoj gjuhën më mirë në këtë formë”, u shpreh Meshcheriakova.

Gazetarja mes tjerash thekson se është e befasuar me disa gjërat që ka gjetur këtu, e që ia kujtojnë në një mënyre jetën në Ukrainë. /Telegrafi/