Ka shkuar në mbi 800 numri i viktimave të koronavirusit në ShBA

Ka shkuar në mbi 800 numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, ndërsa mbi 55 mijë e 200 njerëz janë infektuar. Këto të dhëna i publikoi Universiteti “Johns Hopkins”.

Shifrat e reja i vendosin Shtetet e Bashkuara në tri vendet me më së shumti raste në botë, pas Italisë dhe Kinës.

Nju Jorku dhe shteti veri-perëndimor i Uashingtonit janë rajonet më të prekura. Në Nju Jork janë shënuar 192 viktima, ndërsa në Uashington 128. Rasti i parë në Shtetet e Bashkuara u shënua në fund të janarit.

Në përgjithësi, 354 persona të infektuar janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet amerikane, shkruan “Anadolu”.

Ndryshe, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi kanë arritur marrëveshje për pakon ekonomike prej 2 trilionë dollarëve për t’i luftuar efektet e pandemisë.

Presidenti Donald Trump është zotuar se pas dy javëve do t’i lehtësojë masat e izolimit, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve përditë.