Ka përfunduar obduksioni dhe identifikimi i viktimave nga zjarri në Tetovë

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka përfunduar obduksioni i trupave të sjellë nga Tetova, pas zjarrit që shkrumboi spitalin modular, në të cilin kuroheshin pacientë të sëmurë nga COVID-19.

“Me ndihmën e DNK analizës janë identifikuar trupat e 14 viktimave të cilët humbën jetën në zjarrin që shpërtheu në spitalin modular të Tetovës. Është kryer obduksion edhe ndaj një pacienteje më të re, trupi i së cilës është sjell në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka deklaruar për Dojçe Vele, Aleksandar Stankov, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Gjatë ditës trupat e pajetë pritet tu dorëzohen familjeve.

Stankov më tej tha se obduksioni është kryer me zbatimin e standardeve profesionale dhe me protokolle të posaçme për shkak të pandemisë, raporton Alsat M.

Identifikimi i trupave është kryer me ndihmën e familjarëve të viktimave, MPB-së dhe Njësitit për hetime.