Ka më keq se në Kosovë, deputetët e këtij vendi sulmohen me zorrë thiu

Në Kosovë, dikush ka hedhur bombola të gazit lotsjellës e dikush tjetër ia ka kapur mikrofonin kryetarit të Kuvendit. Sidoqoftë, në botë ka raste edhe më të rënda të incidenteve në organin legjislativ. Ligjvënësit e partisë kryesore opozitare të Tajvanit kanë hedhur zorrë e organe tjera derri dhe janë përleshur me grushte me kolegët e tyre.

Përleshja shpërtheu gjatë seancës ku pritej që kryeministri të pranonte pyetje nga deputetët. Situata u tensionua për shkak të mosmarrëveshjes rreth lehtësimit të importimit të mishit të derrit nga Shtetet e Bashkuara, shkruan Reuters.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-ëen, njoftoi në gusht se qeveria nga 1 janari do ta lejojë importimin nga Shtetet e Bashkuara të mishit të derrit që përmban raktopaminë, substancë shtesë që është e ndaluar në Bashkimin Evropian dhe në Kinë.

Foto: Reuters

Ndonëse ky hap është mirëpritur në Uashington si pjesë e përpjekjeve për marrëveshje për tregti të lirë mes dy vendeve, vendimi është kundërshtuar ashpër nga opozita, e cila ka ngritur shqetësime për sigurinë e ushqimit.

Në kohën kur kryeministri i Tajvanit, Su Tseng-chang, u mundua të raportojë dhe të marrë pyetje nga deputetët, deputetët e partisë opozitare e zunë podiumin e kuvendit.

Sidoqoftë, partia në pushtet krijoi një pengesë për t’ia mundësuar raportimin kryeministrit. Kur ai filloi të fliste, deputetët opozitarë filluan të gjuanin zorrë derri dhe organe tjera. Disa prej tyre u panë duke e sulmuar njëri-tjetrin edhe me grushte.