Juventusi shqetësohet pas lëndimit të Dybalas

Te Juventusi janë të shqetësuar, por jo në alarm, për gjendjen fizike të Paulo Dybalas.

Sulmuesi argjentinas, i aktivizuar titullar në miqësoren ndaj Brazilit në krah të Mauro Icardit, u zëvendësua në minutën e 59-të për arsye dëmtimi.

Futbollisti i Juventusit është parë në pankinë me dy qese akulli nën dhe mbi gju. Edhe pse situata nuk paraqitet alarmante, stafi mjekësor i Juventusit do të kryejë ekzaminimet e nevojshme sapo sulmuesi të kthehet nga Arabia Saudite, ku u zhvillua takimi mes dy ekipeve me të mira amerikano-jugore.

Dybala vazhdon të mos ketë fat kur i bashkohet kombëtares. Edhe pse kishte në krah në sulm Icardin dhe Angel Correan, gjatë thuajse një ore që qëndroi në fushë arriti të gjuante vetëm një herë drejt portës së mbrojtur nga Alisson. Goditja e tij e dënimit përfundoi ngjitur me kryqëzimin e shtyllës me traversën.

Në Argjentinë nuk kanë munguar kritikat ndaj tij për faktin se ende nuk ka shënuar me përfaqësuesen në 16 ndeshje gjithsej. Në 9 raste është aktivizuar titullar dhe në vetëm dy takime nuk është zëvendësuar. Në total 752 minuta pa e gjetur rrugën e rrjetës.

Problemi në gju me shumë mundësi do ta detyrojë Dybalan të mungojë në takimin me Genoan në Torino. Allegri pritet të rreshtojë në vijën e parë treshen Ronaldo-Mandzukic-Douglas Costa.