Justin Bieber e quan Chris Brownin “legjendar” dhe kritikohet nga fansat

Justin Bieber është kritikuar nga fansat pas krahasimit të Chris Brown me legjendat muzikore Michael Jackson dhe Tupac Shakur.

Ylli 25-vjeçar i hitit Sorry, e postoi një fotografi në Instagram të një ekuacioni që thoshte, “MJ + 2 Pac është i barabartë me CB” së bashku me fotot bardh e zi të treshes.

“Të gjithë duan të presin derisa njerëzit të vdesin për t’u dhënë atyre meritat që i meritojnë. Unë po e bëj këtë tani duke thënë se kur CB (Chris Brown) të vdesë pas një jete të gjatë dhe të plotë, do t’ju mungojë ajo që e kishit para jush tërë kohën… më besoni, do ta shihni”, shkroi Bieber në titull.

Ylli kanadez i popit gjithashtu e quajti sulmin brutal të Brownit kundër ish-të dashurës së tij Rihanna në vitin 2009 një “gabim”, dhe shtoi: “Njerëzit që e kanë injoruar talentin e këtij njeriu për shkak të një gabimi që ai e bëri… duhet ta rivlerësojnë qëndrimin e tyre! Të dua @chrisbrownofficial.”

Megjithatë, disa nga fansat dhe ndjekësit e Bieber nuk ishin të kënaqur me faktin që ai e kishte mbështetur publikisht Brownin, i cili u akuzua gjithashtu për përdhunimin e një femre në Paris më herët këtë vit. Ai e mohoi fuqishëm akuzën.

“Stop normalizimit të dhunës… Ajo që ti e ke shkruar do të bëjë që njerëzit të mendojnë se dhuna është vetëm një gabim i thjeshtë, por ajo NUK ËSHTË”, shkroi njëri, ndërsa një tjetër ndjekës komentoi: “Ky postim është shumë i dëmshëm”.

“Gabim? Ke qenë ndonjëherë në anën tjetër të një grushti? Shpresoj dhe i lutem Zotit që dikush që e do ti kurrë të mos vuajë nga dhuna në familje”, e kritikoi komentuesi i tretë.