‘Ju jeni kriminela’, eskalon Kurteshi i VV-së: quan koka të krimit mediet pasi u pyet për akuzat që i bëri në AKK

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka ofenduar rëndë gazetat duke i quajtur të poshtra dhe kriminale, në momentin që është pyetur për deklaratën e tij që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Kurteshi ndër deklarimet e pasurisë, një vend të veçantë ia ka kushtuar biznesit të gruas së tij, i cili në atë paragraf ka hedhur akuza të rënda duke thënë se biznesi i bashkëshortes operon me humbje dhe vidhet nga hajnat, shkruan Insajderi.

Kurteshi tutje ka thënë se këta hajna nuk zbulohen kurrë nga policia dhe prokuroria, duke i akuzuar se bashkëpunojnë dhe “i zhvatin inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës”.

“Sa i përket NT Luxury në pronësi të bashkëshortes, ajo edhe ashtu vepron me humbje edhe në ato vlera, ajo që vidhet nga hajnat të cilët policia dhe prokuroria e Kosovës nuk i zbulon kurrë, sepse me gjasë bashkëpunon dhe zhvatin inspektorët e ATK, me veprimet e tyre korruptive, të cilat nuk i kontrollon askush”, ka shkruar Kurteshi.

Për këtë gjë, Gazeta Insajderi, ka folur me Kurteshin i cili nuk ka dhënë asnjë detaj sa i përket pyetjes, por ka ofenduar dhe akuzuar gazetat që sipas tij “merren me lajme të kota”.

Ai po ashtu, ka thënë se gazetat janë kriminale dhe nuk po e lejojnë Prokurorinë ta bëjë punën e saj.

Por, para këtyre ofendimeve dhe akuzave, Kurteshi njëherë është bërë kinse nuk po e kupton pyetjen.

“A mund të na jepni detaje në lidhje me akuzat që i keni bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion gjatë deklarimit të pasurisë, për biznesin e gruas tuaj, ku thoni se ajo operon me humbje pasi që, sipas jush vidhet nga hajnat?”, ishte pyetja e Insajderit drejtuar Kurteshit.

“Nuk po kuptoj ku kam fol, çka kam thënë… Unë nuk e di ajo është bërë moti, po ju pse po merreni me të. Ju ne vend se të merreni me vrasjet merreni me gjëra tjera. Ju jeni kriminela, kjo është poshtëruese. Ju gazetat protalet jeni koka e krimit… Ju kurrë mos më thirrni më, kurrë mos guxoni, jeni të poshtër”, i ka thënë Kurteshi Gazetës Insajderi.

Ndryshe, Kurteshi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë rreth 1 milion e 500 mijë euro. Tek këto pasuri ka deklaruar një shtëpi dhe tri toka, por që ka thënë se janë në pronësi të përbashkët.

Te pasuritë e luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë 7 mijë euro, një bibliotekë në vlerë 70 mijë euro dhe veturën e bashkëshortes që thotë se kushton 3 mijë euro.

Si para të gatshme, Kurteshi ka deklaruar rreth 20 mijë euro në emër të tij, 10 mijë në emër të bashkëshortes dhe 1 mijë në emër të fëmijëve.

Por, Kurteshi ka edhe borxhe. Shuma e parave që ai ka borxh sillet rreth 400 mijë euro, derisa të hyrat vjetore të tij sillen rreth 16 mijë euro.