Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se sot është kërcënuar redaksia e portalit “Periskopi”. Njoftimin për kërcënim e ka bërë të ditur vetë “Periskopi” duke treguar se kanë pranuar një email kërcënues pas një raportimi që e kanë bërë për 9 punonjës të Fakultetit të Mjekësisë që marrin pagë në QKUK pa punuar fare.

AGK iu ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të merren me rastin.

Njoftimi i plotë:

Kërcënohet redaksia e portalit “Periskopi”

Gazeta online “Periskopi”, ka njoftuar AGK-në, për një e-mail kërcënues që ka pranuar rreth publikimit të artikullit të titulluar “Nëntë punonjës të Fakultetit të Mjekësisë marrin rrogë në QKUK pa punuar fare”.

Në emailin e pranuar me 15 janar, kërkohet largimi i artikullit me porosinë “ju gazetart kujdes me shkrime sepse shume gazetarve po jau heqin kryt per shkrime ose po jau zajn peng familjaret. ma mire duje pa problem se paret per klikime e me probleme familjare”, shkruan në një pjesë të mesazhit.

AGK-ja, është e shqetësuar me kërcënimin e bërë ndaj redaksisë së këtij portali, dhe e fton Policinë e Kosovës që urgjentisht të hetojë prej nga vjen kërcënimi dhe të marrë masat e duhur për të ofruar siguri për gazetarët e këtij medium. Gjithashtu, ftojmë Prokurorinë dhe organet e tjera të drejtësisë që të bëjnë punën e duhur për të trajtuar rastin.