Banjskë

Joseph: Pas sulmit në Banjskë është dobësuar pozita e Beogradit

Pas ngjarjeve në Banjskë, lëvizjet e presidentit të Serbisë, në vend që ta qetësonin situatën, krijuan një përshkallëzim të ri, thotë për RTK-në Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington.

Duke theksuar nevojën për ta hetuar Banjskën, Joseph kujton vlerësimin e Shtëpisë së Bardhë se ai nuk ka qenë një grup i zakonshëm ad-hoc.

“Ne e dimë tashmë se çfarë bëri presidenti Vuçiq pas 24 shtatorit, dhe po pyes nëse lëvizjet e Vuçiqit janë përshkallëzim në vend të qetësimit. Vuçiq e ka përshkallëzuar edhe më shumë situatën. Edhe Kisha Ortodokse Serbe ishte distancuar, duke shprehur ngushëllimet e saj me rastin e policit të vrarë. Por shpallja e zisë treditore, gjuhë e ashpër nxitëse ndaj Albin Kurtit në mediat serbe, dërgimi i armëve në kufirin me Kosovën, ky është një përshkallëzim i qartë i Aleksandër Vuçiqit, i cili menjëherë pas Banjskës u takua me ambasadorin rus”, tha ai.

Joseph beson se pas sulmit në Banjskë, pozita e Beogradit është dobësuar dhe tani i takon Uashingtonit dhe Brukselit që të ushtrojnë presion më të fortë ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Besoj se është thelbësore të përfitohet nga kjo situatë me kërcënime me sanksione dhe faktin që presidenti Vuçiq është në defansiv. E rikujtoj se BE-ja e quajti atë një sulm terrorist. Kjo do të thotë se Vuçiq tani është në një pozitë të cenueshme. BE-ja dhe SHBA-ja duhet të përfitojnë nga kjo dhe t’u paraqesin palëve një dokument “merre ose lëre”, me zbatim të qartë, duke përfshirë hapat që duhet të ndërmarrë Beogradi, në mënyrë që zbatimi të jetë i barabartë”, tha Joseph.

I pyetur se çfarë mund të pritet nga vizita e të dërguarve të posaçëm, Joseph thotë se duhen kërkuar hapa konkretë.

“Misioni i tyre duhet të bazohet në atë që nevojitet për të çuar gjërat përpara dhe për t’i kërkuar presidentit Vuçiq ta nënshkruajë atë, se Serbia nuk duhet ta bllokojë Kosovën, dhe të thotë se e mbështet procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”, shtoi ai.

Sipas Joseph, tani është krijuar mundësi që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë zbatimin e plotë të asaj që është rënë dakord në dialogun Kosovë-Serbi./rtk