Joseph: Kurti u dënua që s’u koordinua, jo që s’ka të drejtë të veprojë në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka të drejtë në shtrirjen e sovranitet anekënd vendit, por dënimi i tij nga aleatët perëndimor erdhi për shkak të injorimit të nevojës për bashkërendim të veprimeve në veri, ka thënë profesori amerikan, Edward Joseph.

Madje, Joseph e çoi më tej edhe pretendimin e tij, se ShBA reagoi ashpër ndaj Kosovës duke qenë se pala kosovare është pala më e vogël ku administrata amerikane ka ndikim duke e krahasuar me ndikimin në palën serbe.

“Është e drejtë e tyre të shtrojnë kontroll në pjesën veriore të vendit, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerët evropianë të saj dhe aleatët e NATO’s duan që Kosova të vazhdojë me veprime të kujdesshme e të bashkërenduara, dhe këtë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e bëri, nuk e respektoi këtë nevojë për bashkërendim, ani pse është në të drejtën e tij. Dhe, prandaj kritika e ashpër nga ShBA”, tha Joseph duke folur në Al Jazeera.

Më tej, Joseph e rroku sërish tezën e kahershme të tij, se e tërë zgjidhja e problemit të normalizimit të marrëdhënieve gjendet në njohjen e katër shteteve mosnjohëse të NATO’s dhe pesë të BE’së. Kjo, tha ai, i jep “levë” të fortë Vuçiqit.

“Problemi nuk është te ndonjë urrejte antike mes shqiptarëve dhe serbëve, por brenda vetë Bashkimit Evropian ku pesë shtete nuk e njohin Kosovën. Kjo i jep të gjithë levën Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai po e përmbys këtë marrëveshje që është arritur në mars; që është e formës së njohjes ‘de facto’; e që ai nuk dëshiron ta zbatojë. Ka shqetësime për eskalim. Prandaj edhe pamë këtë deklarim të drejtpërdrejtë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ku kritikoi Kosovën. Por, problemi këtu është mungesa e ndonjë leve ndaj Vuçiqit”, tha mes tjerash ai.

Edhe dje ças reagimit të vetë Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, në lidhje me hyrjen me forcë në objektet komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan nga autoritetet e Kosovës – pavarësisht këshillës dhe kërkesës së QUINT’it – në debat u përfshi edhe profesori amerikan dhe eksperti Edward Joseph.

“Çështja është se dy gjëra mund të jenë të vërteta”, shkroi Joseph në një seri cicërimash në Twitter. “Vuçiq mund të jetë i ligë dhe Kurti i papëgjegjshëm”.

Megjithatë, Joseph, nuk qëndroi pa kritikuar edhe vetë ShBA’në, për çka tha se qëndrimi “i pa balancuar” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës “nuk është më i qëndrueshëm”.

“Në nxitimin për të dënuar dënimin e ShBA’së që ia bëri veprimit të Kosovës në veri, një pyetje po anashkalohet: çka nëse dikush – serb ose shqiptar – vritet? Mua më kujtohet mirë më 2011, kur veprimet e pakoordinuara të Prishtinës në veri lanë një oficer të policisë speciale të vrarë”, shkroi Joseph.

“Rezultati: a. Tragjedi për familjen e oficerit të vrarë nga vrasësi serb. b. Atmosferë e ngarkuar; raprezalje të ndaluara nga ish-Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi. Muaj të barrikadave serbe dhe më shumë dhunë nga serbët, dhe plagosje e ushtarëve të KFOR-it”