Johnson përsërit se sheh ngjashmëri të madhe mes Putinit dhe Millosheviqit

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka përsëritur qëndrimin e tij se ka analogji të afërt mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

Ditë më parë, Johnson në Parlamentin britanik, teksa njoftoi për sanksionet e Britanisë ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, krahasoi veprimet e Putinit në Ukrainë me ato të Millosheviqit në Kosovë. Qëndrimin e njëjtë ai e përsëriti në një intervistë të premten për “El Pais”.

“Ajo që unë besoj është se ka analogji të afërt mes sjelljes së Putinit dhe viteve të fundit të Sllobodan Millosheviqit. Është shumë interesant se si dy liderët kanë qenë në pushtet për kohë të gjatë, gjithnjë e më autokratë, duke kërkuar të forconin pozicionin e brendshëm dhe duke gjetur kauzë të madhe nacionaliste. Sllobodan Millosheviqi e identifikoi vendlindjen e nacionalizmit serb, në të vërtetë të kombit serb, në Fushë-Kosovë, dhe frymëzoi popullin e tij me këtë ide të keqlindur se ai duhej të shpëtohej dhe çlirohej. Ekziston një lloj analogjie e ngushtë mes këtij gabimi katastrofik dhe atij që presidenti i Rusisë po thotë për Kievin dhe origjinën e fesë, kulturës dhe civilizimit rus dhe qëllimeve të tij në Ukrainë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse Perëndimi duhet të synojë që ta vë këtë luftë para një gjykate ndërkombëtare sikur Millosheviqin, Johnsoni ka thënë se duhet të mblidhen provat dhe nëse dëshmohet përdorimi i municionit, qartësisht Rusia duhet të gjykohet.