“Joe Biden” i Kosovës: Erdhën dy bukuroshe, më kërkuan të bëj fotografi me to

Përveç Amerikës, edhe Kosova ka Bidenin e saj. Ndonëse quhet Veli Salihu, pak e thërrasin ashtu 71 vjeçarin nga Drenica që i përngjan presidenti amerikan, Joe Biden.

“Vetëm Joe Biden më thonë, a bën me bo një foto me juve. Prej që u zgjedh presidenti ja kanë nisë me më thirrë në emër të tij se me të vërtetë unë përngjaj, jo vetëm, me rroba por edhe me fizionomi e me krejt”, shprehet ai.

Ai tregon edhe për rastet interesante që i kanë ndodhur për shkak të ngjashmërisë me presidentin amerikan.

“Isha vetëm në karrige, dy bukuroshe erdhën: Axhë a bon me bo një foto me juve, i thashë si jo vetëm po du me ditë arsyen, në thanë se përngjanë në Joe Biden”.

Mirëpo, ai thotë se shumica e identifikojnë edhe me trajnerin e Bayernit.

Joe Biden i Kosovës përlotet kur flet për strehimin e afganëve nga ana e Kosovës, për çka ai thotë se është gjest i shkëlqyeshëm.