Perplasjet e Kurtit

Jo vetëm për referendumin: Kjo është kronologjia e përplasjeve të Kurtit me BE-në

Mospajtimet e fundit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell rreth mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, nuk janë mospajtimet e vetme mes këtyre dy zyrtarëve.

Që prej formimit të Qeverisë Kurti, më 22 në mars të vitit 2021, dy zyrtarët kanë pasur një sërë mospajtimesh që janë bërë publike.

Që prej marrjes së mandatit si kryeministër, Kurti ia kishte bërë me dije Borrellit dhe ekipit të tij, se në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian, Kosova do të kërkojë trajtim të barabartë.

Për këtë gjë, Kurti kishte refuzuar që të zhvillohej takimi i parë me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq në datën që ishte shpallur publikisht nga shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, pas një takimi që kishte me Vuçiqin.

Sipas burimeve diplomatike, deri në atë moment Kurti nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në takim dhe Borrell e kishte shpallur datën e takimit pa pritur që të marrë konfirmimin nga pala kosovare.

Përfaqësuesit e shefit të diplomacisë së BE-së kishin bërë përpjekje që takimi të mbahej më 11 maj 2021, siç kishte paralajmëruar publikisht Borrell, sepse besueshmëria e tij po vihej në pikëpyetje. Por, Kurti nuk pranoi që takimi të mbahej në atë datë, duke u arsyetuar se “Qeverisë së re i duhet më shumë kohë që takimi të përgatitet mirë”.

Mospajtimet e tjera dolën në publik disa herë, sidomos sa i përket çështjes së themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, ndërkaq kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij vazhdimisht ka refuzuar që ta themelojë Asociacionin, duke argumentuar se “nuk mund të ketë Asociacion njëetnik në Kosovë”.

Më së shumti mospajtime rreth kësaj çështjeje dolën gjatë një konference për media në Bruksel, pas një takimi të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Kosovës dhe BE-së.

Gjatë konferencës, që u mbajt më 7 dhjetor 2021, në prani të Borrellit dhe Komisionarit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, Kurti përsëriti kundërshtimet e tij lidhur me krijimin e Asociacionit, por njëkohësisht shprehu gatishmërinë që të marrë pjesë në takimet në kuadër të dialogut sa herë që “lehtësuesi apo ndërmjetësuesi” e sheh të arsyeshme që të ftojë palët.

“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lartë, në mënyrë që të kënaqen politikanë të caktuara, s’janë demokratike. Unë jam demokrat dhe prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të dialogut s’duhet të jenë aty për të kënaqur politikanë, të shpëtojnë lëkurën e dikujt apo fytyrën e dikujt, por të shërbejnë e ndihmojnë njerëzit. Ne u shërbejmë njerëzve dhe kam frikë se ky Asociacion i komunave serbe është më shumë në shërbim të Beogradit sesa të qytetarëve të zakonshëm serbë në Kosovë, për të cilët unë po ashtu shërbej si kryeministër i Republikës sonë”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se “kur Gjykata Kushtetuese [e Kosovës] e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Prandaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”.

Në mënyrë jo fort të zakonshme reagoi gjatë kësaj konference shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, duke insistuar në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Madje, ai e quajti atë si “me rëndësi të posaçme”.

“Edhe unë jam demokrat. Nuk pajtohem me juve zoti kryeministër [Kurti] se Gjykata Kushtetuese e pamundëson zbatimin e marrëveshjes. Kjo marrëveshje është arritur në mes të përfaqësueseve të qeverive të të dy palëve, të cilët kanë vepruar në mirëbesim dhe konform normave ndërkombëtare. Më vjen keq kryeministër, por ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e marrëveshjes. Ne e dimë se ka marrëveshje të hapura. E di se të dyja palët nuk kanë zbatuar marrëveshje, por kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme”, kishte deklaruar Borrell.

Kurti dhe Borrelli patën mospajtime edhe në kohën kur Kosova ndërmori një aksion policor në veri, si pjesë e luftës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Gjatë një deklarimi publik, Borrell e quajti aksionin “veprim të njëanshëm”, ndërsa Qeveria e Kosovës tha se aksioni ishte aksion në tërë territorin e Kosovës, në kuadër të forcimit të rendit dhe ligjit.

“BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Secili provokim apo veprim i njëanshëm duhet të evitohet sepse shkon në kundërshtim me interesat e njerëzve në rajon. Ne u bëjmë ftesë udhëheqjes në Beograd dhe Prishtinë që të kenë qasje të përgjegjshme dhe të punojnë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të ri, të kthejnë atmosferën paqësore dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga zyra e Borrellit.

Këto deklarata të Borrellit nuk ishin në linjë të njëjtë me disa shtete anëtare të Quint-it, që kishin mbështetur operacionin policor, ndërkohë që edhe NATO-ja kishte konfirmuar se misioni i saj në Kosovë, KFOR-i ishte njoftuar paraprakisht për aksionin e 13 tetorit të vitit 2021.

Por, rasti i fundit lidhur me mundësinë që serbët që jetojnë në Kosovë të votojnë për referendumin e Serbisë për ndryshimin e Kushtetutës, është një ngjarje, kur shtetet e Quint-it dhe Borrell, kanë qëndrim të njëjtë.

Në shtetet e Quint-it bëjnë pjesë: Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca.

Më 13 janar, Borrell bëri thirrje që Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) t’i mundësohet “grumbullimi i votave” të serbëve të Kosovës, në mënyrë që këta qytetarë “të shfrytëzojnë të drejtën demokratike për të votuar”. Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët e Kosovës, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

BE-ja, së bashku me shtetet e Quint-it më 14 janar shprehën keqardhje për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, për të mos lejuar zhvillimin e referendumit serb në Kosovë “sipas praktikave të vendosura më herët”.

Mospajtime mes Kosovës dhe BE-së ka pasur edhe rreth planit të Qeverisë Kurti për procesin e vetting-ut në sistemin e drejtësisë. Në atë rast, blloku evropian shprehu shqetësimet lidhur me këtë plan, duke argumentuar se nuk është kundër procesit të vetting-ut (procesit të verifikimit të figurave të prokurorëve dhe gjyqtarëve), por ishte i shqetësuar me mënyrën dhe përmasat që Qeveria e Kurtit planifikon të përfshijë në këtë proces.