Burra dhe djem, madje edhe fëmijë e pleq, në mesin e viktimave të përdhunimit të ushtarëve rusë në Ukrainë. Shefi i OKB-së për dhunën seksuale paralajmëron se dhjetëra raste janë nën hetim, duke shtuar se janë vetëm “maja e ajsbergut”
Në foto: Më 29 prill, njerëzit demonstruan përpara ambasadës ruse në Helsinki, Finlandë, për të tërhequr vëmendjen ndaj përdhunimeve masive nga ushtarët rusë. Foto: action press
KIEV, 9 Maj 2022 NOA – Burrat dhe djemtë janë ndër viktimat e dyshuara të përdhunimit nga ushtarët rusë në Ukrainë, ku dhjetëra raste të dhunës seksuale nga forcat pushtuese janë tashmë nën hetim, thanë zyrtarët e OKB-së dhe ukrainas, raporton noa.al duke cituar të përditshmen britanike The Guardian. Mes të përdhunuarve ka edhe fëmijë dhe të moshuar.
Ajo që kanë bërë xhelatët e Putinit në periferitë e Kievit si Bucha, Irpin, Hostomel dhe Makariv janë krimet më të këqija të luftës! Ata kanë hapur zjarr dhe kanë torturuar pa dallim civilë, përdhunuan gra dhe vajza të të gjitha moshave. Tani del se mes viktimave të abuzimit seksual ka shumë djem dhe burra – nga fëmijë e deri tek të moshuar.
Raporti shqetësues pranohet nga e dërguara speciale e OKB-së Pramila Patten e cila mbajti në një konferencë shtypi në Kiev.
Patten tha se raportimi i krimit është një sfidë e veçantë për viktimat e përdhunimit meshkuj. “Është e vështirë për gratë dhe vajzat të raportojnë sepse kanë frikë nga stigma, por shpesh është edhe më e vështirë për burrat dhe djemtë”, tha ajo.
Megjithatë shtoi se “ne kemi krijuar një vend të sigurt për të gjitha viktimat për të raportuar krimet”.
Me dhjetëra raste po hetohen dhe kjo është vetëm “maja e ajsbergut”. Patten inkurajoi të përdhunuarit që të raportojnë krimet në komunitetin ndërkombëtar. “Nëse e dokumentojmë sot, nesër mund ta çojmë në prokurori”, theksoi ajo.
📸 Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për dhunën seksuale në konflikt, Pramila Patten (majtas) dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës Olga Stefanishnina në një konferencë të përbashkët në Kiev. Foto: Ukrinform/REX/Shutterstock
Iryna Venediktova, Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, shpjegoi arsyet pse diktatura e Kremlinit përdor përdhunimin si një armë lufte. “Natyrisht, kjo bëhet për të frikësuar shoqërinë civile. Ata po bëjnë gjithçka për të detyruar Ukrainën të dorëzohet.”







