Video

‘Ji racional’, i thotë Tajvani Kinës pasi nisi stërvitjet ushtarake rreth ishullit

Ministria e Jashtme e Tajvanit i ka kërkuar Kinës të jetë “racionale” dhe të “ndalojë dëmtimin e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit”.

“Tajvani do të ruajë idealet e tij demokratike dhe nuk do të ndryshojë për shkak të presionit nga vendet fqinje. Vendi ynë është mburoja e sistemeve demokratike dhe të lira të botës,” tha ministria në një konferencë të rregullt shtypi të enjten, duke shtuar se do të forcojë lidhjet me partnerët që ndajnë idealet e njëjta me të, shkruan BBC.

Ndërkohë, ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se “qëndron gati me vullnet dhe përmbajtje të vendosur”.

“Ne nuk kërkojmë konflikte, por nuk do t’i shmangemi një të tillë. Ne kemi besimin për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare”, thuhet në një postim në X.

Kina ka nisur dy ditë stërvitje ushtarake rreth Tajvanit si ‘dënim i fuqishëm’ për ‘aktet separatiste’ të ishullit të vetëqeverisur.

Stërvitjet vijnë tre ditë pas inaugurimit të Presidentit William Lai, i cili është quajtur një “ngatërrestar i rrezikshëm” nga Pekini.

Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e Pekinit, por ishulli e sheh veten si të ndarë.