Jevtiç takohet me shefen e UNMIK-ut, thotë se kthimi i serbëve në institucione varet nga Asociacioni

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, të martën ka biseduar me përfaqësuesen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe shefen e misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Komuna e Shtërpcës, përmes llogarisë zyrtare në Facebook, njoftoi se Jevtiç ka folur me Ziadeh për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe ndikimin e tij në jetën dhe sigurinë e “njerëzve të thjeshtë dhe qytetarëve tanë”.

Jevtiç, siç thuhet në njoftim, ka kërkuar që të kthehet besimi në institucione, përkundër faktit që shumë kolegë të tij nga komuniteti serb para rreth tre muajve janë larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës.Jevtiç është shprehur se “zbatimi i marrëveshjeve të arritura [në Bruksel] është më i rëndësishmi dhe se nga kjo varet kthimi i serbëve në institucione”, ndërsa ka kritikuar institucionet e Kosovës për “procedura të ndryshme e të pazakonta” ndërkohë edhe për “akuza të pabaza”.

“Sjellja dhe trajtimi i papërshtatshëm i institucioneve të pushtetit qendror ndaj institucioneve të pushtetit lokal, në mënyra dhe procedura të ndryshme, të pazakonta, çojnë deri në humbjen e besimit të qytetarëve tanë ndaj tyre”, tha Jevtiç.

Ndryshe, çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në më pak se dy javë palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë./ AlbanianPost