“Jerusalemi real i Kosovës dhe shqiptarëve është Mitrovica”

Analisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, e ka konsideruar qytetin e Mitrovicës të ndarë në dy pjesë si “Jerusalemin real të Kosovës dhe shqiptarëve”.

Lushi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se popujt kanë aleatë, “por Jerusalemin nuk mund ta kenë jashtë trojeve dhe shpirtit të tyre”.

Reagimi i tij vjen pas ngjalljes së debatit nga anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për rishikimin e vendimit të zhvendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit, në rast se BE e cakton si kriter për integrim çështjen e saj.

Bashkimi Evropian, më 2 shkurt të vitit 2021, ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur.

Ambasada turke në Prishtinë, kishte kundërshtuar më herët hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Po ashtu, edhe Parlamenti arab, që është organi legjislativ i Ligës Arabe, ka dënuar “njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga Kosova”.