Jeremiq: Letra e Trumpit dërguar Thaçit konfirmon se Kosova do të anëtarësohet në OKB

Letra e Trumpit e konfirmon hapur se Thaçi e Vuçiq kanë bërë negociata sekrete

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, ka thënë se letra e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dërguar presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën flitet për arritjen e një marrëveshje historike Kosovë-Serbi, tregon se qartë se Thaçi dhe Vuçiq kanë zhvilluar negociata sekrete për arritjen e marrëveshjes për caktimin e kufijve.

“Kush nuk besonte se Vuçiqi dhe Thaçi janë takuar në mënyrë të fshehtë për të arritur marrëveshjen për kufijtë, që do t’i siguronte Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, letra e presidentit Trump e konfirmon këtë në mënyrë të hapur”, ka shkruar Jeremiq në tëitter.

Ai thotë që tanimë jemi një hap larg arritjes së marrëveshjes historike.

Letra e plotë e Trumpit:

I nderuar z. President:

Ishte kënaqësi të flisja me Ju në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.

Unë iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet.

Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike.

Sinqerisht,