Jeremiq: Do të propozojmë platformën e negociatave

Kryetari i Partisë Popullore serbe (PP) Vuk Jeremiq ka thënë se në seancën e parlamentit serb për Kosovën, grupi parlamentar i kësaj partie do të propozojë miratimin e një platforme të negociatave për punën e organeve shtetërore dhe do të bëjë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ta pranojë ose, nëse refuzon, të prezantojë platformën e tij.

“Platforma jonë duhet të reflektojë bashkimin kombëtar dhe të marrë mbështetjen e të gjithë aktorëve politikë. Negociatat për Kosovën duhet të futen në kornizën institucionale dhe në fund të dihet se për çfarë dhe kush është i autorizuar dhe çfarë bën në lidhje me Kosovën”, ka thënë Jeremiq.

Ai ka pretenduar se deputetët e Partisë Popullore në atë seancë do të “tërheqin një vijë në ngjarjet e dhjetë vjetëve të fundit” dhe do të vënë në dukje shkeljen e drejtpërdrejta të ligjit dhe Kushtetutës së Serbisë, transmeton Paparaci.

“Do të theksojmë se në vitin 2013 Kuvendi i Serbisë ka miratuar Rezolutën për Kosovën në të cilën është shprehur se çdo gjë për çka është pajtuar në Bruksel duhet të shoqërohet me miratimin e ligjeve kushtetuese, në mënyrë që gjithçka të futet në kornizën kushtetuese të Serbisë. Mirëpo, nuk është miratuar asnjë ligj i vetëm kushtetues dhe kanë dorëzuar institucionet e shtetit në veri, gjyqësorin, policinë, sistemin elektroenergjetik dhe i kanë dhënë Kosovës numrin ndërkombëtar telefonik”, ka shtuar Jeremiq.