Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se Presidenti Donald Trump mori vendimin përfundimtar për të sulmuar Iranin fjalë për fjalë disa minuta para se bombat të hidheshin të shtunën mbrëma.

Vance i tha NBC’s Meet the Press with Kristen Welker se Trump kishte opsionin për ta anuluar sulmin në sekondën e fundit, por vendosi të vazhdonte me të gjithsesi, transmeton Ballkani.info.

Shtetet e Bashkuara tani po monitorojnë nga afër nëse Irani sulmon trupat amerikane apo vazhdon të zhvillojë programin e tij të armëve bërthamore, tha Vance, duke e përshkruar situatën aktuale si shumë të ndjeshme.

Ai shtoi se 24 orët e ardhshme mund të jenë vendimtare në sqarimin e synimeve të Iranit. “Ne kemi marrë tashmë disa mesazhe indirekte nga Irani,” tha ai, duke kujtuar se më herët gjatë ditës, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se Irani po merrte mesazhe publike dhe private, të dërguara përmes kanaleve të ndryshme.

Rreth mbylljes së ngushticës së Hormuzit

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Irani do të përpiqej të pengonte trafikun detar përmes ngushticës së Hormuzit, Vance tha se një veprim i tillë do të ishte vetëvrasës dhe do të shkatërronte ekonominë e tyre.

Zv/presidenti përsëriti se SHBA nuk ka interes të dërgojë trupa në terren dhe hodhi poshtë frikën se përfshirja e SHBA mund të përshkallëzojë më tej konfliktin.

Parlamenti iranian votoi për mbylljen e ngushticës së Hormuzit

Kujtojmë se parlamenti iranian thuhet se ka miratuar mbylljen e rrugës kryesore ujore përmes ngushticës së Hormuzit. Reuters raportoi se vendimi përfundimtar për këtë masë do të merret nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit. Lëvizja mund të godasë rëndë tregtinë globale pasi do të mbyllte kalimin e ngushtë midis Iranit dhe Omanit.

Vendimi nuk është ende përfundimtar. Është një rrugë përmes së cilës kalojnë afërsisht 20 për qind e nevojave botërore për naftë dhe gaz.

Ngushtica e Hormuzit është një nga vendet më të rëndësishme në botë

Ngushtica e Hormuzit, një kalim i ngushtë detar në dalje nga Gjiri Persik, është një pikë kyçe për tregtinë botërore të naftës. Rreth një e katërta e tregtisë totale të naftës në botë kalon përmes saj çdo ditë, gjë që e bën atë një nga rrugët tregtare më të rëndësishme në planet. /Ballkani.info/