PE

Javën e ardhshme Parlamenti Evropian diskuton situatën në veri të Kosovës

Parlamenti Evropian do të diskutojë situatën në veri të Kosovës në seancën e ardhshme në Strasburg. 

Siç është paralajmëruar, eurodeputetët do të diskutojnë për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me Komisionin dhe Këshillin të martën pasdite, pas konflikteve të fundit në veri.

Në njoftim thuhet se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, ka dënuar ashpër sulmin e një grupi të armatosur ndaj policëve të Kosovës.

Gjithashtu theksohet se në dy raporte të veçanta në maj, deputetët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në një dialog nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe të sigurojnë pa vonesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në parimin të njohjes reciproke.

Ndërsa të enjten Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Seanca e 28 shtatorit në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjaku – tashmë të shpallur hero.