Java e Kuzhinës Italiane në Kosovë, ambasadori De Riu: Kuzhina është kulturë

“Festim, qëndrueshmëri dhe inovacion: përbërësit e kuzhinës italiane për shëndetin e njerëzve dhe mbrojtjen e planetit”, është tema e edicionit të sivjetmë të Javës së Kuzhinës Italiane në Kosovë. Për herë të shtatë në vend po organizohet edhe në vend, eventi ndërkombëtar që i dedikohet sektorit të agroushqimit italian. Gjatë gjithë javës, 10 restorante në Prishtinë dhe rrethinë do të ofrojnë meny speciale të kuzhinës italiane. Ky edicion i kushtohet nxënësve dhe studentëve të italishtes dhe komuniteteve të ndryshme.

Në kuadër të kësaj jave, mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet është organizuar darkë, ku morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë të huajë e udhëheqës të mediave.

Ambasadori italian, Antonello De Riu, për KosovaPress thotë se kuzhina është kulturë që paraqet traditën e një vendi.

“Kuzhina është një mënyrë e dialogimit, duke ngrënë njerëzit edhe dialogojnë e flasin. Dhe duke pasur parasysh një situatë pak të tendosur në Kosovë është shumë e rëndësishme sepse kuzhina është kulturë që paraqet traditën e një vendi. Njerëzit mblidhen rreth tavolinës, gëzojnë, flasin. Kështu që është një moment që paraqet kulturën, traditat dhe natyrisht i bën marketing një vendi”, thotë ai.

Më tej, ai thekson se në kuadër të “Javës së Kuzhinës Italiane” kanë sjellur shefa të kuzhinës italiane të cilët janë trajnues të të rinjve.

“Duke pasur parasysh që kuzhina në vetvete është kulturë dhe pikërisht ne kemi filluar me kulturën, me studentët që studiojnë italishten në kuadër të Universitetit të Prishtinës edhe në shkollat e ndryshme që mbajnë kurse. Natën e parë e kemi organizuar ‘Nata e Lazanjës’, njerëzit që vijnë përmes kuzhinës bashkohen, flasin edhe për kulturën. Gjithashtu edhe në kuadër të kësaj e kemi bërë programin me restorantet e ndryshme të Kosovës. Gjatë Javës së Kuzhinës Italiane ofrohet vetëm meny italiane që do të ketë çmim fiks, ku njerëzit mund ta shijojnë ushqimin italian që sjell edhe traditën italiane”, shton ai.

Ambasadori De Riu theksoi se “Java e Kuzhinës Italiane” organizohet në shumë vende të botës.

“Java e Kuzhinës Italiane në botë organizohet nga gjithë rrjeti diplomatik italian në botë, nga ambasadat, konsullatat, institucionet e kulturës edhe ka për qëllim që në secilin vend të përhapet kjo kulturë. Ndërsa, në darkën e sotme i kemi ftuar partnerët tanë të botës së kulturës, të botës të ekonomisë, disa bashkëpunëtorë tanë të mediave, të institucioneve. Është një mënyrë që sonte të festojmë, të gëzojmë së bashku”, përfundoi ambasadaroi De Riu.

Ky edicion parasheh ngjarje të cilat kanë nisur me datën 14 dhe që do të përfundojnë me datën 20 të këtij muaji.