Jashari: Specialja nuk mund të dënojë “Calin” në emër të popullit sepse populli është vet UÇK-ja

Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua sot me 26 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte.

Për këtë aktgjykim pati shumë reagime, e në mesin e tyre është edhe Bekim Jashari, i biri i heroit Hamëz Jashari e nipi i komandantit legjendar, Adem Jashari.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se “kjo është dëshmi që lufta jonë ende nuk ka përfunduar, luftën e fituar me gjak, falë dëshmorëve, martirëve e luftëtarëve të lirisë sot po e humbim fatkeqësisht dhe kjo pasi nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta”.

Jashari thotë se vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është “pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tonë në njërën anë dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë kundër nesh përderisa ne dhe ‘akademikët’ tonë nuk bëjmë sa duhet në dokumentimin e luftës sonë të drejtë”.

“Kjo që po ndodhë sot a është e mjaftueshme për t’i bindur udhëheqësit tonë për unitet apo duhet të shpallemi kriminelë për të na bërë bashkë kundër misioneve që dëshirojnë dështimin e shtetit tonë. Sot të gjithë jemi UÇK, sot nuk duhet të jemi të asaj apo kësaj partie, sot është vonë për të mos u bërë e pamundur nesër, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare të njohur nga aleatët tonë ndërkombëtarë”, shkroi Jashari.

Gjykata Speciale, thotë ai, nuk mund të dënojë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali në emër të popullit të Kosovës “sepse populli i Kosovës është vet UÇK-ja”.

“Ai po dënohet në emër të misioneve serbo-sllave për të barazuar krimin me viktimën, pra kriminelët e Serbisë që edhe sot shëtisin lirshëm po tentojnë t’i barazojnë me çlirimtarët tonë. Turp”, përfundoi Bekim Jashari.