Jashari: Pavarësisht vendimit në Kuvend, javën tjetër pushimi pranveror

​Derisa ka filluar seanca e jashtëzakonshme për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim, kryetari i Sindikatës të Bashkuar të Arsimit të Kosovës, Rrahman Jashari, thotë se çfarëdo vendimi i marrë aty, nuk do t’i zmbraps ata.

Në një intervistë për KosovaPress, Rrahmani thotë se presin nga deputetët e Kosovës që të mbrojnë ligjin e grevave të cilin e kanë votuar vet, duke kritikuar ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe drejtorët e shkollave për presionin që po u bëjnë mësimdhënësve.

Ai shprehet i bindur se mësimdhënësit do të respektojnë pushimin pranveror, gjë që do të çojë shkollat në pushim javën tjetër.Kështu, SBAShK edhe njëherë ka zgjedhur të mos përfillë vendimin e ministrit të arsimit Shyqiri Bytyqi që të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës së janarit.Jashari thotë se MAShT-i po shkel keq në të drejtën e fëmijëve për të pasur pushimin e tyre pranveror, të garantuar me kalendarin shkollor për vitin 2019-2020.

Teksa mohon se të njëjtën po e bënë edhe SBAShK-u me këmbënguljen për të mos kompensuar orët e humbura.E krejt kjo, sipas tij, nuk është çështje individësh apo inatesh, pasi që thotë se Këshilli drejtues i SBAShK-ut, edhe gjatë grevës, ka sjellë vendim duke u bazuar në kërkesat e mësimdhënësve të Kosovës, se orët e humbura në grevë mos të zëvendësohen.

Ai thotë se derisa Gjykata Themelore në Prishtinë nuk do të dalë me një vendim për vendimin e ministrit Bytyqi, SBAShK nuk do ta zmbrapset për asnjë moment.

I pyetur se a po u mohon edhe SBAShK-u, nxënësve të drejtën për të përmbushur kurrikulën mësimore, Jashari thotë se “më mirë të dëmtohet ky vit shkollor që të jetë mësim për vitet tjera, në mënyrë që kërkesat e SBAShK-ut të merren parasysh”.

Ai thotë se praktika e kompensimit të orëve duhet ndërprerë, pasi që humbet kuptimi i grevave.Ai thekson se kryetarët e komunave dhe drejtoritë arsimore nuk është dashur ta pranojnë “pataten e nxehtë”, vendimin e ministrit Bytyqi me shpejtësi, dhe nuk është dashur që të bëjnë presion tek mësimdhënësit për të kompensuar orët.

Jashari deklaron se edhe në rast se zëvendësohen orët e humbura, nuk do të ketë seriozitet në punë, ashtu sikurse po cenohet dita e premtë për shkak të të shtunës. E kjo sipas tij, do të ndikonte negativisht në rezultatin e testit kombëtar.Kështu, ai e sheh të rrugës që të mos ketë kompensim të orëve të humbura në mënyrë që në test kombëtar të mos përfshiheshin njësitë e fundit, të cilat nxënësit nuk i kanë mësuar.

Pasi, siç thotë ai, mbajtja e orëve sa për sy e faqe, do të jepte rezultate negative në rezultatin e tyre.E, në rast se mësimdhënësit vendosin të mbajnë orët shtesë, Jashari tha se do t’i duartrokasë ata.Ndryshe, sot po mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës.