Në Prishtinë sot është mbajtur një akademi përkujtimore për nder të 20-vjetorit të Masakrës së Izbicës.
Në këtë akademi pjesëmarrës ishte Kryetari i Komunës së Skenderaj, Bekim Jashari, i cili në fjalimin e tij tha se qëllimi i Serbisë ishte ç’rrënjosja e popullit Shqiptar.
“Masakra e Izbicës dhe ato skena rrëqethëse janë një nga goditjet më të mëdha që armiku u mundua t’ia bëjë popullit tonë, është dëshmia më e mirë se si ushtrohej gjenocidi serb mbi popullatën e pafajshme civile”.
“Është masakra në të cilën përnjëherë e pësuan një numër i madh i njerëzve duke përfshirë të gjitha moshat, duke mos kursyer as fëmijë, gra dhe pleq”.
“Okupatori këtë e bëri me qëllim që të nxisë shpërnguljen dhe të bëjë spastrimin etnik, duke masakruar e rrëmbyer më të dashurit tanë, duke dashur që ta mbysë vullnetin tonë për liri dhe pavarësi”, ka thënë Jashari.







