Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka komentuar vendimin e ministres Nagavci për pushimin vjeshtor që nxënësit do të kenë këtë vit.
Jashari tha se ministrja Nagavci e mori këtë vendim nga inati pasi vitin e kaluar ua mohoi nxënësve pushimin pranveror.
“Doli me këtë propozim Ministrja e njëjtë që me inatet që kishte ua mohoi vitin e kaluar shkollor nxënësve edhe pushimin pranveror, gjoja për të kompensuar orët e humbura nga greva”, tha Jasharaj.
Sipas tij, ministrja Nagavci i injoron vazhdimisht takimet mes Këshillit të Prindërve, SBASHK-ut, Kolegjiumit të Drejtorive Arsimore dhe Asociacionit të Komunave.
“Ministrja Nagavci vazhdon me inatet dhe i ik takimeve, që ishte dashur të ndodhin, mes MASHTI-t, Këshillit të Prindërve, SBASHK-ut, Kolegjiumit të Drejtorive Arsimore, por edhe të Asociacionit të Komunave për të biseduar për përgatitjet e bëra për vitin e ri shkollor, por edhe për Kalendarin shkollor, tekstet shkollore dhe për gjithë çështjet tjera me rëndësi”, u shpreh Jasharaj.







