As 10 muaj pasi Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut dorëzoi 308 ankesa në shërbimet komunale në 10 qytete dhe komuna në Serbi me kërkesën për heqjen e muraleve dhe grafiteve që lartësojnë Ratko Mlladiqin, i dënuar për krime lufte, asnjë mural i vetëm nuk është hequr deri më sot, shpjegon drejtoresha e programit të Iniciativës Sofija Todoroviq.

Siç shton ajo, kanë marrë përgjigje vetëm në dy raste – në të parën është pranuar ankesa dhe në të dytën që murali do të hiqej, transmeton Ballkani.info.

“Murali që është dashur të hiqet ndodhet në Beogradin e Ri. Kur shkuam në Beogradin e Ri disa javë pasi e morëm e-mailin, pamë se ishte ende aty”, thotë Todoroviq.

“Hero Ratko”, “Faleminderit nënës që të lindi”, “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, janë vetëm disa nga mbishkrimet që mund të gjenden në muralet në Beograd dhe në mbarë Serbinë.

Në datën 20 dhjetor do të nisë nënshkrimi i peticionit civil për heqjen e grafiteve dhe pikturave murale që nxisin urrejtje dhe jotolerancë, si dhe dorëzimi i propozimeve për përmirësimin e situatës në shoqëri për heqjen e grafiteve dhe muraleve që nxisin urrejtje dhe jotolerancë në hapësira publike, njoftuan organizatat e shoqërisë civile.

“Në Serbi ka shumë ligje që e rregullojnë këtë çështje, të cilat fatkeqësisht nuk zbatohen në praktikë. Kudo në botë muralet kanë rolin e pasurimit të hapësirës së jetesës, zgjimit të përvojës estetike të njerëzve. Tek ne fatkeqësisht kanë një qëllim politik dhe negativ. Nëse do të pengohej keqpërdorimi i hapësirave publike me qëllim të propagandimit të urrejtjes dhe jotolerancës, sigurisht që do të çonte në një përmirësim të situatës në shoqëri”, thotë Milan Filipoviq, drejtor kërkimor i Komitetit të avokatëve për të drejtat e njeriut (YUCOM).

Muret e ndërtesave në hapësirat publike të qyteteve dhe qytezave në Serbi kanë qenë për një kohë të gjatë një platformë për grupet e ndryshme të djathta për të promovuar lirisht dhe pa u ndëshkuar gjuhën e urrejtjes, sipas organizatave-iniciatorë të kësaj nisme në një dokument me rekomandimet.

“Njerëzit që shesin jashtë tregjeve për të mbijetuar shpesh ishin në shënjestër, ndërsa njerëzit që krijojnë probleme shumë më serioze komunale mbetën jashtë fushëveprimit të atyre rregulloreve. Kjo nuk është asgjë e re, vetëm se ne po e shohim tani me shembullin e muraleve”, thotë Filipoviq.

Filipoviq shton se YUCOM dhe organizatat tjera presin reagim nga qytetarët, duke pasur parasysh problemet e shumta aktuale, të cilat, thotë ai, jo vetëm që po i shqetësojnë ata, por edhe një numër të madh të qytetarëve.

Megjithatë, në nëntor 2021, pati disa incidente pikërisht për shkak të përpjekjes për të hequr muralin e Ratko Mlladiqit në rrugën “Njegosheva” në Beograd, por edhe të Dragoljub Mihailoviqit, komandantit të lëvizjes “Ravnogorska” në ish Jugosllavi. Mirëpo, jo vetëm që nuk u hoqën muralet, por u arrestuan aktivistë për të drejtat e njeriut – mes tyre Aida Çoroviq dhe Jelena Jaçimoviq.

Dhe gjatë këtij viti, murali i Vladimir Putinit pranë gjimnazit të tretë të Beogradit u pikturua dhe u shkatërrua disa herë. /Ballkani.info/