Jamie Shea: Njohja e pavarësisë së Kosovës duhet të jetë pjesë e procesit të pranimit të Serbisë në BE

Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Në anën tjetër, Parlamenti Evropian përmes një rezolutë u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi të tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë.

Për këtë fakt, por edhe pa e njohur Kosovën shtet të pavarur, ‘’Serbisë nuk duhet t’i hapen dyert për anëtarësim në Bashkimin Evropian’’, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, në një intervistë për Albanain Post.

‘’Ju nuk mund të jeni në kampin demokratik dhe në kampin autoritar në të njëjtën kohë dhe të refuzoni të solidarizoheni me kolegët tuaj evropianë’’, thotë Shea për AP.

Ai konsideron se ‘’sfida për BE-në do të jetë të udhëheqë Beogradin drejt bërjes së kësaj zgjedhjeje nga bindja dhe jo oportunizmi’’.

‘’Për më tepër, njohja e Kosovës si një fqinj i pavarur duhet të jetë pjesë e procesit të pranimit të Serbisë në BE’’.

Profesor i Strategjisë dhe Sigurisë, e ka komentuar edhe deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili theksoi se ShBA-të duan ta ndihmojnë Serbinë ushtarakisht në realizimin e qëllimeve të saja.

“Beogradi duhet t’i shpenzojë paratë në programe sociale në dobi të popullatës serbe, jo në blerje të tepërta dhe destabilizuese të armëve’’, shtoi ai.

Kur është pyetur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, ai ka theksuar se roli i BE-së si “ndërmjetësi i ndershëm” midis Beogradit dhe Prishtinës këtu është absolutisht vendimtar, ‘’por unë do të shpresoja që miqtë e tjerë të Kosovës, si SHBA dhe Britania e Madhe, do të angazhohen në mënyrë të barabartë në ushtrimin e presionit’’.

‘’Pikëpamja ime është se mund të ketë fleksibilitet në zbatimin për t’i mundësuar komunitetit etnik serb në veri të Kosovës të përshtatet dhe të jetë në gjendje t’i ngasin veturat e tyre përpara dhe mbrapa përtej kufirit me targat e vjetra gjatë një periudhe tranzicioni’’.

Intervista e plotë e Jamie Sheas e dhënë për Albanian Post:

Ju keni qenë i përfshirë direkt edhe në kohen e luftës në Kosovë, a ju befason fakti që edhe pas 2 dekadave e më shumë, problemet nuk po zgjidhen, madje, nganjëherë duket sikur nuk është bërë progres fare?

Jamie Sheas: Është e qartë se jam i pikëlluar kur shoh se çështja e kartave të identitetit kombëtar dhe targave kombëtare të veturave të Kosovës po shkakton një bujë të tillë dhe po përdoret nga disa për të nxitur tensionet politike në Kosovë, të cilat nuk kanë të bëjnë pak me çështjen imediate dhe teknike në Kosovë. Të gjitha vendet kanë targa kombëtare të makinave dhe karta identiteti kombëtare. Nuk ka asgjë anormale këtu.

Problemi i fundit është ky për reciprocitetin që Kosova kërkon të aplikojë në raport me Serbinë. A besoni se është në të drejtën e Kosovës si shtet që të aplikojë reciprocitet, meqë edhe Serbia e bën të njëjtën?

Jamie Sheas: Përsëri më vjen keq për faktin se kaq shumë vite pas konfliktit të vitit 1999 ne ende nuk kemi njohjen nga Beogradi të pavarësisë së Kosovës dhe as normalizimin e marrëdhënieve. Ka qenë shumë e lehtë për liderët politikë në rajon që të vendosin qëndrime pa kompromis dhe të tërhiqen pas mureve nacionaliste në vend që të bëjnë një përpjekje serioze për t’u angazhuar me njëri-tjetrin dhe për të parë nga e ardhmja. Megjithatë, në të kaluarën ka pasur përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e BE-së, gjë që tregon se përparimi është i mundur. Ne kemi nevojë thjesht për më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj Ballkanit Perëndimor dhe një angazhim më sistematik ndërkombëtar. Pas disa vitesh neglizhencë, teksa e kthyem vëmendjen tonë nga Afganistani, Iraku dhe Indo-Paqësori, unë shoh liderët evropianë dhe amerikanë që për fat të mirë e përqendrojnë vëmendjen e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Marrëdhëniet normale midis dy vendeve të pavarura presupozojnë reciprocitet në gjëra të tilla si tregtia, telekomunikacioni dhe shërbimet dhe lëvizja e njerëzve përtej kufijve. Pra, po, pranimi dhe zbatimi i ndershëm i reciprocitetit janë një masë e rëndësishme për ndërtimin e besimit. Nuk është e lehtë për liderët politikë të bëjnë lëshime nëse nuk marrin asgjë në këmbim.

Nuk e di sa i keni përcjellë intervistat e fundit të ambasadorit Hill në Beograd: Ne një vend ka thënë se SHBA-të duhet ta ndihmojnë ushtarakisht Serbinë, kurse për dialog thotë se pala serbe është e përgatitur, kurse pala tjetër, ajo e Kosovës, nuk po është gjithmonë e gatshme të flas për specifika. Ka pasur edhe deklarime te tjera të kësaj natyre. Si duhet t’i lexojnë kosovarët këto deklarime?

Jamie Sheas: Është e rëndësishme që gjithmonë të lexohen me kujdes deklaratat e zyrtarëve të qeverisë amerikane për të kuptuar saktësisht se çfarë nënkuptojnë ato. Sigurisht që nuk kam asnjë problem me SHBA-në dhe NATO-n që mbajnë bisedime ushtarake me Beogradin ose stërvitje të përbashkëta kushtuar paqeruajtës dhe menaxhimit të krizave. Këto hapa mund të rrisin transparencën dhe të krijojnë besim. Nuk mendoj se është e mençur ta lëmë Serbinë vetëm me Rusinë dhe Kinën kur bëhet fjalë për bashkëpunimin dhe prokurimin ushtarak. Por, sigurisht që është një çështje tjetër që t’i sigurohet Beogradit pajisje të rënda ushtarake që mund të përdoren për qëllime sulmuese. Beogradi duhet t’i shpenzojë paratë e tij në programe sociale në dobi të popullatës serbe, jo në blerje të tepërta dhe destabilizuese të armëve. Për sa i përket gatishmërisë së Prishtinës dhe Beogradit për dialogun e tyre dypalësh, jam i bindur se të dyja palët mund të ecin përpara nëse kërcënimet dhe retorika e ekzagjeruar zbuten dhe ekziston një vullnet i vërtetë për të ecur përpara në mënyrë konstruktive në vend që ta përdorin dialogun për të fajësuar njëri tjetrin dhe fitojnë pikë politike për audiencën kryesisht vendase.

Çfarë prisni te ndodh me 1 shtator, a rrezikohemi nga një konflikt? 

Jamie Sheas: Shpresoj se BE-ja do të jetë në gjendje të mbajë një takim tjetër mes Vuçiq-it dhe Kurtit. Kanë mbetur edhe pak ditë për ta bërë këtë. Roli i BE-së si “ndërmjetësi i ndershëm” midis Beogradit dhe Prishtinës këtu është absolutisht vendimtar, por unë do të shpresoja që miqtë e tjerë të Kosovës, si SHBA dhe Britania e Madhe, do të angazhohen në mënyrë të barabartë në ushtrimin e presionit. Pikëpamja ime është se mund të ketë fleksibilitet në zbatimin për t’i mundësuar komunitetit etnik serb në veri të Kosovës të përshtatet dhe të jetë në gjendje t’i ngasin veturat e tyre përpara dhe mbrapa përtej kufirit me targat e vjetra gjatë një periudhe tranzicioni. Një fushatë informuese e Kosovës përballë komunitetit serb për ta qetësuar atë në lidhje me këto masa teknike dhe për të kundërshtuar të gjithë retorikën dhe dezinformimin e ndezur rreth kësaj çështjeje do të ishte gjithashtu e dobishme. Ashtu si me çdo vendim qeverie të një natyre të ndjeshme, përgatitja e terrenit me kujdes dhe shpjegimi i arsyetimit pas vendimit janë gjithmonë vendimtare për suksesin. Gjithashtu ndihmon për të vënë në dukje avantazhet dhe përfitimet e mundshme. Ndonjëherë paraqitja e një vendimi para popullatës është po aq e rëndësishme sa edhe vetë vendimi.

Në të njëjtën kohë, NATO dhe forcat e sigurisë së Kosovës duhet të punojnë krah për krah për të ruajtur mjedisin e sigurisë në të gjithë vendin dhe për t’u marrë me vendosmëri me përpjekjet e mëtejshme për të provokuar dhunë. Në këtë aspekt, jam i inkurajuar nga fakti që KFOR-i ka dislokuar disa njësi në veri për të mbajtur rrugët kryesore të hapura dhe për të parandaluar ngatërrestarët që të përpiqen të instrumentalizojnë situatën për të sulmuar policinë e Kosovës ose për të shkaktuar përçarje. Inteligjenca e mirë për të parashikuar ngjarjet dhe për t’u përgjigjur shpejt do të jetë vendimtare këtu.

Perse Serbia vazhdon ta ketë përkrahje kaq të madhe ndërkombëtare, përkundër se vazhdon miqësinë me Rusinë, nuk i vendos sanksione, lejon mediat dhe bizneset ruse të operojnë lirisht në Serbi, blen armë nga Rusia e Kina?

Jamie Sheas: Është e rëndësishme që Evropa të angazhojë Serbinë dhe të demonstrojë se integrimi me perëndimin dhe demokracitë liberale është një opsion shumë më i mirë për prosperitetin e ardhshëm të vendit dhe liritë politike sesa të shkojë me diktaturat e njerëzve të fortë dhe autokracitë gjithnjë e më represive (dhe agresive) si p.sh. Rusia dhe Kina. Shumë serbë besojnë në demokraci dhe duan të jenë evropianë modernë dhe ne nuk duhet t’i braktisim ata. Megjithatë, ndërsa Serbia bën përparim në aplikimin e saj për t’u anëtarësuar në BE, politikanët në Beograd duhet të ndalojnë këtë akt balancues oportunist midis Perëndimit dhe Lindjes. Të jesh pjesë e BE-së do të thotë të jesh një demokraci liberale dhe të jesh i përkushtuar ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ju nuk mund të jeni në kampin demokratik dhe në kampin autoritar në të njëjtën kohë dhe të refuzoni të solidarizoheni me kolegët tuaj evropianë. Sfida për BE-në do të jetë të udhëheqë Beogradin drejt bërjes së kësaj zgjedhjeje nga bindje dhe jo oportunizëm. Për më tepër, njohja e Kosovës si një fqinj i pavarur duhet të jetë pjesë e procesit të pranimit të Serbisë në BE.

Cili është vlerësimi juaj për kryeministrin Albin Kurti?

Jamie Sheas: Kryeministri Kurti është lideri i Kosovës i zgjedhur në mënyrë demokratike. Si i tillë, i uroj atij sukses në përpjekjet e tij për të negociuar marrëveshje të drejta dhe të balancuara me Beogradin dhe për ta çuar Kosovën më tej në rrugën drejt integrimit të saj euroatlantik.