Jakup Krasniqi: Po të isha Kryeministër do të dorëhiqesha, zgjedhjet s’janë zgjidhje

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, tani kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, duke folur në një intervistë për Gazetën Express pohon se po të ishte kryeminsitër i koalicionit aktual qeverisës do të jepte dorëheqje.

Tërheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita udhëheqëse e dialogut me Serbinë për ta lënë në duart e Hashim Thaçit e sheh si të gabuar. Mendon se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, sepse siç shprehet, koalicioni dhe opozita kanë vështirësi të mëdha.

I pyetur nëse Nisma do t’i ndihmojë opozitës për rrëzimin e qeverisë, Krasniqi thotë se partia e tij do të jetë aty ku është interesi i shtetit dhe i qytetarëve.

Më tej, Krasniqi thotë se ka gjasa që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodh deri në fund të këtij viti.

Ndërsa, sa i përket ministrave me aktakuza në Qeverinë Haradinaj, shprehet skeptik në sistemin e drejtësisë, por thotë se kabineti qeveritar duhet të jetë i përbërë nga njerëz të përgjegjshëm.

Më poshtë të gjitha përgjigjjet e Jakup Krasniqit:

Gazeta Express: Pse po e kërkoni rrëzimin e Qeverisë Haradinaj tani, kur një kërcënim të tillë e bëri edhe presidenti Hashim Thaçi?

Krasniqi: Kërkesa jonë është për qeverisje të mirë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me kërkesën e Thaçit. Madje unë saktë kam thënë: Po të isha Kryeministër në ketë kostelecion të koalicionit do të jepja dorëheqje. Kjo nuk është e barabartë me kërkesën për dorëheqje. Thaçi ka probleme të tjera. Me Thaçin nuk na bashkon as qeverisja sipas shijes se tij dhe as korrigjimi i kufijve dhe ngutja për marrëveshje me Beogradin!

Gazeta Express: A do ta ndihmojë Nisma me deputetë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj?

Krasniqi: Jemi të vetëdijshëm se qeveria ka vështirësi të mëdha, si dhe opozita ka qakordusje të mëdha, por zgjedhjet ende nuk i shohim si zgjidhje që i duhet Kosovës. Duhet një marrëveshje konsensusi mes partive politike për shumë gjëra të interesit nacional. Besoj që shpejtë opinionit publik do t’ia shfaqi qëndrimet e mija për ketë çështje. Si do që të jetë, NISMA është aty ku është interesi i shtetit dhe i qytetarëve, për shtetin e së drejtës e drejtësi sociale.

Gazeta Express: Sa janë gjasat që të ndodh liberalizimi i vizave në fund të këtij viti me këtë Qeveri?

Krasniqi: Gjasat janë të mira, bile mendoj se shumë është zgjatur çështje e liberalizimit të vizave.

Gazeta Express: A e shihni gabim tërheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita udhëheqëse e dialogut me Serbinë?

Krasniqi: Kushtetuta secilit pushtet ia përshkruan detyrat dhe përgjegjësit e veta! Askush nuk duhet të vrapoj pas detyrave të huaja kushtetuese. Natyrisht, as t’i dhuroj ato dikujt thetër!

Gazeta Express: A duhet të shkarkohen ministrat që kanë aktakuzë, sipas jush?

Krasniqi: Sikur të kishim një sistem kredibil të drejtësisë, e sikur mos të ishte si është, goxha i yshtur, dorëheqja do të ishte më shumë se obligim moral. Një Sistemi të Drejtësisë që shumica apsolute e të akuzuarve janë shpallur të pa fajshëm, është tregues i kredibilitetit të dobët të akuzave!

Pa dyshim, kabineti qeveritar duhet të jetë i përbërë nga njerëz të përgjegjshëm që e zotërojnë detyrën e qeveritarit në shërbim të publikut!