Taksa dhe dialogu

Jakup Krasniqi e vazhdon mllefin ndaj LDK-së dhe Thaçit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi thotë se e kupton reagimin e liderëve të Serbisë për taksën prej 100 për qind, po nuk e kupton reagimin e LDK-së dhe të presidentit Hashim Thaçi që kushtëzojnë sipas tij, dialogun me heqjen e taksës.

“Është për t’i kuptuar disi reagimet e kushtëzimet që zyrtarët më të lartë serbë në Beograd, të cilët vazhdimin e dialogut e lidhin me taksën 100%, por si t’i kuptojmë përfaqësuesit e një partie politike “shtet-formuese” (LDK-së) dhe kryetarit të vendit që janë në një vijë politike me Vuçiqin e Bërnabiqin?! Të cilët e kushtëzojnë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës 100%?”, thotë Krasniqi përmes një komunikate për media.

Ai shton se, “sikur të njëjtit të kishin reaguar ndaj cilitdo veprim të Serbisë kundër Kosovës, gjatë kohës sa janë zhvilluar bisedimet politike të Brukselit, t’i kishin kushtëzuar bisedimet me aktivitetet e shumta armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës e të kishin pasur ndonjë sukses në atë drejtim, do të përpiqeshim që t’i kuptojmë edhe sot?! Por, këta “racionalistë” të politikës sonë, diçka të ngjashëm nuk e kanë kërkuar as edhe një herë deri më tani”.

Krasniqi thotë se nëse deri sot asnjë veprim armiqësor të Serbisë, e të cilat veprime kanë qenë të shumta, askush as në Kosovë e as në BE, nuk i kushtëzuan ato veprime me vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë. Pse tani kur Kosova ka vendosur taksën 100% dhe më të drejtë, tani vazhdimi i dialogut kushtëzohet me heqjen e taksës?

“Këta njerëz duhet t’i kujtojnë: Kërcënimet që kanë ardhur dhe vijnë nga Serbia, ndërhyrjet e Serbisë në ndërtimet në Lagjen e Diellit, Ndërtimin e murit ndarës, trenin nacionalist, tërheqjen e njohjeve, mos pranimin e Kosovës në UNESCO e së fundi në Interpol, kërcënimet ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe nga FSK-ja etj ., etj. Ku ishin atëherë? Pse të njëjtit heshtnin?”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë se LDK-ja dhe kryetari, i zgjedhur nga ajo, le t’i bashkohen ekipit për vazhdimin e dialogut me Serbinë pa kushtëzim, le ta arrijnë marrëveshjen e normalizimit të premtuar që pesë vite dhe pastaj taksa 100% nuk do të ketë asnjë arsyeje që të ekzistoj më. Ajo zhbëhet vetvetiu.

“Pra e rëndësishme është që së pari të vazhdojë dialogu në Bruksel, të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë e pastaj gjerat marrin rrjedhën e duhur”, ka thënë Krasniqi.