Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është paraqitur sot në sallën e gjyqit në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Kjo është seanca e parë ndaj Krasniqit, pasi të njëjtit i është konfirmuar aktakuza më 26 tetor 2020, sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara.
Në këtë seancë Krasniqit iu kërkua që të deklarojë nëse ndjehet fajtor apo jo lidhur me aktakuzën e cila i referohet atij.
Me këtë rast, Jakup Krasniqi u deklarua jo-fajtor dhe tha se nuk ka asnjë faj të vetëm.
“Unë edhe pse kam pasur një bisedë dje me avokaten mbrojtëse dhe i kam shikuar edhe pikat kryesore të aktakuzës, edhe më herët e thash dhe po e them. Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë. Unë deklarohem jo-fajtor, nuk kam asnjë faj të vetëm dhe nuk di s’i ta them ndryshe”, tha Krasniqi.







