Jack Smith lë prapa operimin në gju, mbërrin në Uashington për të hetuar Trumpin

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, raporton sot se ish-Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Jack Smith ka mbërritur në Uashington këtë javë.

Siç shkruan Reuters, Jack Smith, këshilltari special i emëruar për të hetuar ish-presidentin republikan Donald Trump, ka një reputacion pozitiv për fitimin e rasteve të rënda kundër mafiozëve dhe oficerëve policorë.

Në prapaskenë, megjithatë, ish-kolegët e Smith thonë se ai është po aq këmbëngulës në hetimet e tij për t’ua hequr akuzat penale të pafajshmëve, sa është këmbëngulës për t’i dënuar fajtorët.

“Nëse lënda është e ndjekshme, ai do ta bëjë atë”, tha Mark Lesko, një avokat në Greenberg Traurig LLP i cili ka punuar me Smith kur të dy ishin prokurorë në Zyrën e Prokurorit të SHBA-ve në Brooklyn të Nju Jorkut. “Ai është i patrembur.”

Smith, së fundmi është kthyer në Shtetet e Bashkuara pasi punoi nga Haga në Holandë që nga nëntori i vitit të kaluar derisa po shërohej nga operacioni në gju pas një aksidenti me biçikletë, tha të mërkurën – në kushte anonimiteti – një person i afërt me Smith.

Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-ve, Merrick Garland emëroi Smithin këshilltar special në hetimin e Donald Trump, i cili kandidon për president në vitin 2024.

Hetimi i parë përfshin trajtimin nga Trump të dokumenteve të klasifikuara, shumë të ndjeshme, që ai mbajti në shtëpinë e tij në Florida pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021.

Hetimi i dytë ka të bëjë me përpjekjet për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në vitin 1999, Smith filloi të punojë në Zyrën e Prokurorit të SHBA-ve në Brooklyn.

Ai fitoi një rast gjyqësor kundër oficerit policor të Nju Jorkut, Justin Volpe, një polic i bardhë i cili u dënua me 30 vite burgim për vrasjen e Abner Louima, një të burgosuri që i përkiste komunitetit me ngjyrë në ShBA.

Smith fitoi gjithashtu një rast me dënim me vdekje kundër Ronell Wilson, një udhëheqës i një bande droge që vrau dy oficerë policor të Nju Jorkut, megjithëse një gjykatë federale e apelit e zbuti vendimin e dënimit me vdekje.

Në vitin 2008, Smith u largua për të mbikëqyrur çështjet penale të krimeve të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Ai u kthye në Departamentin e Drejtësisë në vitin 2010 për të drejtuar Seksionin e Integritetit Publik deri në vitin 2015.

Së fundmi, ai punoi si Kryeprokuror i Gjykatës Speciale në Hagë, në të cilën hetoi krimet e pretenduara të luftës në Kosovë.

Muajin e kaluar, Prokuroria Special fitoi një rast kundër Salih Mustafës, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Moe Fodeman, një avokat në Wilson Sonsini Goodrich & Rosati, i cili ka punuar si prokuror me Smithin vite më parë, tha se ish-kolegu i tij është i njohur për metodat e tij të veçanta të punës.

Smith njihet gjithashtu se është i shpejtë në hetime dhe Fodeman parashikon se hetimet e këshilltarit special ndaj Trumpit ndoshta do të lëvizin me shpejtësi.