Më 23 nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme morri vendim për legalizimin e armëve të qytetarëve.

Aplikimi për legalizim të armëve, do të zgjasë për një periudhë gjashtë mujore dhe hyri në fuqi nga 17 dhjetori i vitit të kaluar për të vazhduar deri më 17 qershor të vitit 2019.

Sipas MPB-së, një qytetar i cili ka një armë të çfarë do lloji, në fillim duhet të shkoj në stacionin më të afërt policor, ku do t’i duhet të plotësoj një formuar që tregon se posedon një armë e më pas do të pranoj një librezë e cila shërben për dërgimin e armës në një nga kompanitë e licencuar për amë ku bëhet riparimi, tregtimi, çaktivizimi dhe prodhimi i armëve.

Pas procedurës së lartpërmendur, kompania e licencuar e ka për detyrë të përcaktoj se arma a i plotëson kushtet teknike për legalizim apo jo.

Sipas MPB-së, e drejta për armëmbajtje me leje vlen për armët e kategorisë B ku hyjnë edhe pistoletat, pastaj vinë armët e kategorisë C dhe D ku hyjnëarmët e gjuetisë dhe ato me hark.

Por edhe pse kanë kaluar afër një muaj nga hyrja në fuqi e vendimit, si duket interesimi i qytetarëve për të aplikuar ka qenë i vogël.

Bazuar në përgjigjen e Zyres për Informim të Policisë së Kosovës drejtuar Ballkani.info, deri më tani kanë aplikuar gjithsej 131 aplikantë.

Numri më i lartë i aplikantëve ka qenë në Prishtinë, ku kanë aplikuar 34 qytetarë, ndërsa më i ulëti ka shënuar në Mitrovicën jugore, ku janë regjistruar vetëm 4 aplikantë.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të mbahet konferencë për media në kuadër të fushatës së legalizimit të armëve ilegale “Me letra”, ku do të diskutohet për progresin e deritanishëm, si dhe prezantohen planet konkrete lidhur me këtë fushatë.

Në këtë rast, do të marrë pjesë, Izmi Zeka, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Alessandra Roccasalvo, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Christian Heldt, ambasador i Gjermanisë si dhe zyrtarë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Konferenca do të mbahet të premten, më 25 janar 2019, nga ora 10:30 në Ministrinë e Punëve të Brendshme, salla P.02. Fushata e legalizimit, pjesë e përkrahjes afatgjatë nga Projekti për Sigurinë në Kosovë (KSSP) i UNDP-së, u mundësua përmes kontributit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane. /Ballkani.info