Ja sa borxhlinj ka dërguar tek përmbaruesit ndërmarrja “Termokos”

Ngrohtorja “Termokos” në kryeqytet është në hall të madh me konsumatorët borxhlinj.

Për Ballkani.info zëdhënësja e ndërmarrjes “Termokos” Afërdita Uka-Fejzullahu ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2018 ka dërguar 621 lëndë tek përmbaruesit privat, nga të cilat 147 prej tyre janë zgjidhur në favor të “Termokos”.

“ Për gjithë ata konsumatorë, që kanë hezituar të paguajnë me rregull faturat e ngrohjes dhe për pasojë u janë grumbulluar borxhe të shumta, ngriten padi nëpër gjykata dhe në saje edhe të bashkëpunimit me përmbaruesit privat kemi arritur të inkasojmë një pjesë të borxheve” ka pohuar Uka-Fejzulahu.

Sipas saj që nga paslufta e deri më tani mbi 13 mijë konsumatorë, kanë borxhe ndaj “Termokos”
“ Këta 13 mijë konsumatore me 16.365.987.24 euro, prej tyre 12.492.321.07 borxhe nga subjektet banesore, ndërsa 3.873.666.17 euro janë borxhe të subjekteve afariste” shtoi ajo.

Me gjithë borxhet që konsumatorët kanë ndaj “Termokos” kjo ndërmarrje ende po vazhdon ti ngrohë kryeqytetasit. Sipas kësaj ndërmarrjeje me 15 Prill do të duhej të ndalej ngrohja por për shkak të temperaturave të ulëta një gjë e tillë nuk është bërë ende. /Ballkani.info