Seanca

Ja pse u përjashtua publiku nga seanca ku Thaçi dëshmoi kundër ‘Syrit të Popullit’

Gjatë ditës së djeshme në rastin ‘Syri i Popullit’ janë thirrur për të dëshmuar kryeparlamentari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Tensionet në gjykatë ishin ngritur gjatë dëshmisë së Veselit, i cili drejtonte pyetje ndaj të pandehurve se cila ka qenë arsyeja që ai ka qenë në listën e personave që do të ‘vriteshin’ nga kjo organizatë, shkruan Ballkani.info.

E njejta procedurë shkoi edhe me presidentin Thaçi, por ky i fundit kërkoi që gjykimi të vazhdonte me dyer të mbyllura për shkaqe sigurie.

Por, kur është i mundur gjykimi me dyer të mbyllura?

Në bazë të nenit 295 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, qysh nga fillimi e deri në përfundim të një shqyrtimi gjyqësor, gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues me propozim të palëve në procedurë apo sipas detyrës zyrtare, gjithnjë pas dëgjimit të palëve, mund të vendosë që të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ose vetëm për një pjesë të caktuar, kur kjo konsiderohet se është e nevojshme.

Sipas Kodit, përjashtimi i publikut nga seancat gjyqësore mund të bëhet në rastet kur kemi të bëjmë për ruajtjen e fshehtësisë zyrtare, ruajtjen e informacionit të fshehtë i cili do të rrezikohej nga shqyrtimi i hapur, ruajtjen e rendit dhe respektimin e ligjit, pastaj mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, mbrojtjen e interesave të fëmijëve, ose mbrojtjen e të dëmtuarve, dëshmitarëve bashkëpunues ose dëshmitarëve.

Vendimin për mbajtjen e një shqyrtimi gjyqësor të mbyllur e merr gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues me aktvendim, i cili duhet të arsyetohet dhe të shpallet publikisht.

Ndërsa në shqyrtimet gjyqësore të cilat janë të hapura për publikun sipas KPPRK-së, neni 301 thotë se fotografimi, filmimi, regjistrimi televiziv dhe regjistrime të tjera përpos regjistrimit zyrtar të shqyrtimit gjyqësor lejohen, përveç nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues kufizon fotografimin, filmimin, regjistrimin televiziv ose regjistrimet tjera me aktvendim të arsyetuar me shkrim. /Ballkani.info