Ja pse Kosova nuk do të ketë viza deri në vitin 2020

Komisionari i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn gjatë ditës së sotme ka takuar krerët e shtetit të Kosovës.

Arsyeja e vizitës ka qenë zyrtare për të diskutuar rreth gjendjes aktuale të shtetit dhe progresin e mëtutjeshëm.

Por pas takimeve të mbajtura, kritikat ndaj qeverisjes nuk munguan. Hahn në një konferencë për media theksoi se Kosova ka bërë shumë deri këtu dhe se ky progress nuk duhet të ndalet. Ai ka kritikuar taksën e vënë nga Qeveria ndaj importeve nga Serbia e Bosnja duke thënë se kjo mund ta dëmtojë tregun e Kosovës.

“Duhet të mendoni pasojat që mund të sjellë kjo taksë. Keni punuar shumë që të keni tregti të lirë dhe këto veprime nuk e ndihmojnë ekonominë e asnjë vendi”, ka thënë Hahn.

Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian ka investuar rreth 100 milionë euro në vit për të arritur stabilitet në Ballkan, pasi që gjashtë shtetet e Ballkanit, që të gjitha kanë për qëllim antarësimin në BE.

Kosovës i ishte premtuar liberalizimi i vizave pas votimit të Demarkacionit, i cili u votua në Kuvend pas një vonese të madhe e që nga Qeveria arsyetohej me domosdoshmëri për liberalizim të vizave.

E krejt çka Kosova përfitoi nga kjo situatë, ishte përgjigja pozitive nga ana e BE-së për futjen në agjendë të Kosovës.

Por kjo nuk po duket se do të ndodh edhe këtë vit.

Komisionari Hahn gjatë qëndrimit në Prishtinë, deklaroi se njëherë duhet të pritet shqyrtimi i Komisionit Evropian, pastaj çështja të dërgohet në Parlamentin Evropian. E të gjitha këto procedura, sipas Hahn duhet të përfundojnë deri në vitin 2020, shkruan Ballkani.info.

Pakënaqësi ndaj sjelljes së BE-së kundrejt shtetit të Kosovës, kanë shprehur edhe zyrtarët të skenës politike.

Sipas tyre, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për të plotësuar kushtet që qytetarëve t’iu ofrohet lëvizja e lirë, por tani BE nuk po tregohet e drejtë.

Kujtojmë se Kosova kishte pasur edhe dy kushte për të përmbushur që t’i ofrohej liberalizimi i vizave nga BE, e këto ishin ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe luftimi i kriminalitetit politik e që sipas raporteve, të dy kushtet janë plotësuar. /Ballkani.info/