Ja për çfarë krime lufte ishte dënuar Nazif Mehmeti, i ftuar nga Gjykata Speciale (DOKUMENT)

Ish-oficerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të Zonës Operative të Llapit, përfshirë edhe komandantin e Zonës, Rrustem Mustafën, i njohur me nofkën “Remi”, ishin dënuar më 2013 nga Gjykata e Prishtinës për krime lufte.

Komandant “Remi” ishte pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Llapit” që po gjykohej prej vitesh për krimet e pretenduara të luftës.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte gjetur fajtorë dhe i kishte dënuar me burgim tre eprorët e lartë të UÇK-së: Latif Gashin, i njohur si “Lata”, udhëheqës i shërbimit informativ ushtarak, Rrustem Mustafën, i njohur si Remi, komandant i Zonës së Llapit dhe Nazif Mehmetin, ish-ushtrues detyre i komandantit të Policisë Ushtarake.

Për Mehmetin u raportua sot se është ftuar nga Gjykata Speciale që të paraqitet në Hagë më 22, 23 dhe 24 janar.

Por për çfarë krimesh ishte dënuar Nazif Mehmeti:

Nazif Mehmeti për pikën tetë të aktakuzës ishte dënuar më 7 qershor 2013 me 3 vjet burg. Ndërsa më parë edhe ky i pandehur ishte i dënuar nga ish Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 1 vit e 6 muaj qëndrim prapa grilave. Nazif Mehmeti mori një dënim unik prej 3 vjetësh burgim.

Ballkani.info ka siguruar lëndën e Nazif Mehmetit për të cilën ishte dënuar nga UNMIK-u.

Në verdikt thuhet se gjatë periudhës nga 30 nëntori i vitit 1998 e deri në fund të prillit të vitit 1999, Nazim Mehmeti ndihmoi dhe mbështeti Rrustem Mustafën dhe Latif Gashin n arrestimin në mënyrë të paligjshme të qytetarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët i dërguan në një qendër të ndalimit e organizuar dhe nën kontrollin e UÇK-së në fshatin Llapashticë.

Sipas lëndës, të arrestuarit u mbikëqyrën në qendrën e paraburgimit dhe rojat e burgut ishin nën kontrollin e tij, duke siguruar që të paraburgosurit të mbetën në paraburgim, edhe pse e dinte se ata u arrestuan në kushte çnjerëzore dhe u privuan nga marrja e ndihmës adekuate mjekësore.

Po ashtu aty thuhet se ata u mbajtën kundërligjshëm dhe u rrahen e torturuan. Në verdikt janë përmendur edhe emrat e të arrestuarve, por Ballkani.info për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk do t’i publikojë emrat e tyre. Bëhej fjalë pët gjatë persona të arrestuar, ku njëri ishte dëshmitar në gjykim.

Në verdiktin e Gjykatës, thuhet në në fund të prillit të vitit 1999, Nazif Mehmeti në bashkëpunim të plotë me Rrustem Mustafën dhe me urdhër të tij, të arrestuarit që mbaheshin në Majac dhe dy të tjerë në Potok po atë kohë, u tha që të vriteshin.

“Ai e përcolli urdhrin e Rrustem Mustafës që të vriteshin këta persona nga pjesëtarë të panjohur të UÇK-së dhe më tej vetë urdhëroi këta pjesëtarë të UÇK-së që të merreshin me vrasjen gjë të cilën ata e bënë”, thuhet në verdikt. /Ballkani.info/